Ish-Sekretar i PD, Arben Ristani në kohën e lobimit rus në vitin 2017, ka thënë se ka shkuar vetë në Prokurori. Çështja është rihapur ditët e fundit, pasi një raport i DASH ka nxjerr se Partia Demokratike ka marrë 500 mijë dollarë nga Rusia në zgjedhjet e 2017.
Ristani, i marrë i pandehur nga Prokuroria e Tiranës për rastin e lobimit, u shpreh se për Syri TV se Lulzim Basha në kohën e hetimeve u kishte kërkuar zyrtarëve të PD që të mos shkonin në organin e akuzës.
“Unë kam shkuar vetë në Prokurori. Kam mbyllur telefonin dhe kam shkuar në Prokurori. Ndërkohë që Basha na kërkonte që të mos shkonim në Prokurori. Ai i merrte vendimet me kokë të vetë, nuk respektonte statutin. Çështja shkoi deri aty sa më 8 janar arriti të bunkerizonte PD”, tha ish-Sekretari i PD.
Më tej, Arben Ristani është shprehur se lobimi rus nuk ka të bëjë me Partinë Demokratike sepse Lulzim Basha i ka lëvizur personalisht paratë.
“Basha ka të drejtë kur thotë se PD s’ka marrë asnjë qindarkë nga financimet e huaja, aq më pak nga rusët. Ato janë para të cilat ai i ka lëvizur personalisht dhe që vërtetë nuk kanë të bëjnë me PD-në. Dijenia ime ka qenë zero deri kur filloi hetimi nga prokuroria.
Kjo çështje s’ka të bëjë me PD por vendim personal i Bashës. Nuk është autorizuar nga Kryesia e PD që të zhvillojë marrëveshje lobimi me këdo. Veprimtaria e tij me para të cilat nuk kanë hyrë dhe nuk kanë dalë nga PD”, përmbylli Arben Ristani.