Londrën e presin rreth 1 milion vizitorë dhe prej tyre, mbi 500, janë lider e udhëheqës botërorë, nga çdo cep i globit.
Është kjo lamtumira, e cila do ta presë Mbretëreshën Elizabeth II, pas katër ditësh homazhe, dhe përpara varrosjes së saj përfundimtare në Windsor, në orën 18:30, ku do të gjejë edhe paqen e përtejme.
Do të shënonte data 8 shtator 2022, kur do të jepej lajmi i kobshëm për popullin britanik, në orët e vona të pasdites, se Mbretëresha, e cila e mbajti në frerë monarkinë për shtatë dekada, kishte ndërruar jetë.
Në 70 vjet, me mitin që ajo kishte krijuar rreth vetes dhe me ndjeshmërinë ndaj popullit britanik, vendeve të Comonwealth-it që kishte nën tutelë dhe simpatinë e fituar edhe në vende të gjithë botës, thuajse askujt nuk i besohej se kishte ardhur koha për t’i thënë lamtumirë Mbretëreshës.
Trafik shumë i shtuar dhe dhimbje koke do të jetë çështja e transportit në Londër, për funeralin monarkik.
Me 1 milion vizitorë të pritshëm, nuk ka se si të mos të ketë probleme në transportin londinez.
Këtë fakt e ka pasqyruar edhe shefi i transportit, Andy Byford, i cili tha se prej ditësh, kryeqyteti britanik ka parë shifra të rritura të udhëtarëve.
Për këtë arsye, 250 shërbime hekurudhore shtesë do të jenë në gatishmëri të gjithkujt, i cili kërkon të shohë funeralin mbretëror.
Ky do të jetë edhe aksioni më i madh dhe ndërhyrja më e madhe në transportin publik, që prej Lojërave Olimpike të vitit 2012.