Ende nuk ka asnjë person të arrestuar për vrasjen e Erjon Xhenjes mbrëmjen e së dielës në Shkodër.
19-vjeçari u qëllua për vdekje me breshëri në lokal teksa ishte duke pirë kafe. Pistat janë disa në duart e hetuesve, por të arrestuar jo, vetëm një motor i djegur që lanë killerat. Dyshohet se skema është përgatitur nga tre persona.
Vrasësi, drejtuesi i motorit që e largoi nga vendi i ngjarjes dhe një spiun që kontrollonte lëvizjet e shënjestrës duke njoftuar killerat. Asnjëri prej tyre nuk është pas hekurave.
Të gjithë të lirë. Një nga pistat kryesore që lidhet me vrasjen e pak ditëve më parë. Viktima dyshohet se ishte në rrethin shoqëror të një grupi kriminale, ndërsa mendohet se mund të ketë qenë përfshirë në vrasjen e Ismet Çekores.
Dy kushërinj të viktimës janë në kërkim pasi dyshohet se janë përfshirë në një atentat. Rrethi është i gjerë për hetuesit.
Në rrjetet sociale familjarë, të afërm, por edhe qytetarë të thjeshtë kërkojnë reagimin e shtetit për të arrestuar autorët.