Presidenti i Iranit tha se shteti i tij është serioz sa i përket ringjalljes së marrëveshjes bërthamore me fuqitë perëndimore, por vuri në pikëpyetje nëse Teherani mund t’i besojë zotimit të Amerikës ndaj çdo marrëveshjeje të mundshme.
Më 2018, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tërhoqi shtetin e tij nga marrëveshja që Teherani arriti më 2015 me fuqitë bërthamore.
Kjo marrëveshje kishte për qëllim frenimin e programit bërthamor të Republikës Islamike në këmbim të sanksioneve ekonomike.
Qëkur Uashingtoni është tërhequr nga marrëveshja, Teherani ka nisur të shkelë kufizimet e vendosura sa i përket pasurimit të uraniumit.
Gjatë fjalimit para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, tha se bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes janë në një moment kritik.
“Dëshira jonë e vetme është: respektim të zotimit”, tha Raisi, teksa theksoi se SHBA-ja ishte ajo që u tërhoq nga marrëveshja.
Ai pyeti nëse Irani “vërtetë mund të besojë, pa iu dhënë garanci” se SHBA-ja kësaj radhe do të respektojë zotimet e saj.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian, që ndërmjetësojnë bisedimet, thanë se dritarja për të arritur një marrëveshje është duke u mbyllur./REL