Partia Socialiste është dakord për hapjen totale të dosjeve, që kërkon grupi i Enkelejd Alibeajt, por me kusht.
Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, relatore e projektligjit të PS-së për nismën e fundit për Dosjet u shpreh se parimisht është për hapjen totaleve të dosjeve, por me kusht hap pas hapi.
Ajo tha se duhet të jetë vetë Autoriteti që të vlerësojë nëse ka raste të cenimit të sigurisë kombëtare dhe të dhënave personale. Rastet kur evidentohet se ka raste të tilla të mos hapen dosjet.
“Konsideratat e mia do të jenë të natyrës juridike sepse politikisht nuk kemi asgjë për të ndarë. Është një nga ato gjërat që nuk ka arsye të ndahemi por të jemi bashkë, edhe për më tepër jemi brez i ri politikanësh.
Sa më takon, fryma e ligjit për “Dosjet” këto dokumente i konsideron të de-klasifikuara nga momenti që merren, janë në dorë të Autoritetit, që ka të drejtë lejimin e shqyrtimit të origjinalit, por me detyrimin që të mbrojë gjithçka që u takon të dhënave personale.
Kjo na vjen nga Konventa e të dhënave personale dhe çështjes së sigurisë kombëtare. Do të isha që të hapen, por diskrecioni për të vendosur rast pas rasti ta vendosë Autoriteti.
Dhe të vlerësojë nëse ka raste të cenimit të sigurisë kombëtare dhe të dhënave personale. Shpresoj që këto raste të jenë shumë të pakta. Por nuk kam asgjë kundër asaj që propozon Alibeaj” tha ajo.
Qëllimi kryesore i projektligjit të PS-së është që të kalojnë në filtër të Autoritetit të Dosjeve edhe personat që kanë marrë certifikatën e sigurisë. Por PD kërkon hapjen totale të dosjeve.