Një tërmet me magnitudë 6.9 goditi Meksikën mëngjesin e sotëm , njoftoi agjencia kombëtare sizmologjike e vendit, por ende nuk raportohet për dëme apo viktima.
Tërmeti i fortë, i cili u ndje edhe në Mexico City, shtëpia e 22 milionë njerëzve, erdhi tre ditë pasi një lëkundje me magnitudë 7.7 goditi vendin të hënën, më 19 shtator, në përvjetorin e tërmeteve vdekjeprurëse të 1985 dhe 2017.
Epiqendra e tërmetit të sotëm ishte në shtetin Michoacán, në pjesën perëndimore të vendit, 84 kilometra nga qyteti i Coalcomán, sqaroi shërbimi sizmologjik. Tërmeti i së hënës, i cili vrau dy persona, ishte gjithashtu me qendër në të njëjtin shtet.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) njoftoi se tërmeti ka qenë me magnitudë 6.8 ballë dhe ka pasur thellësi fokale 20.7 kilometra. Kryebashkiaku i qytetit të Meksikos, Claudia Scheinbaum tha se helikopterët po fluturonin mbi qytet për të kontrolluar viktimat dhe dëmet, por nuk kishte raporte të menjëhershme.
“Për momentin nuk ka dëme në qytet. Unë do të vazhdoj të jap informacione”, tha ai në Twitter. Tërmeti i fortë i së hënës tronditi vendin një orë pasi miliona njerëz morën pjesë në një stërvitje tërmeti, e cila mbahet çdo vit në përvjetorin e lëkundjeve të 19 shtatorit në 1985 dhe 2017.