Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta e piktorit Sali Shijaku. Ai ka kujtuar momente e veçanta me piktorin, ku ky i fundit i ka rrëfyer dhe për veprën e tij të “Vojo Kushit”. Vepër e cila ka qëndruan në Galerinë Kombëtare të Arteve.
“Sali Shijaku ishte piktori i njërit prej Heronjve të mi më të dashur, Vojo Kushit.
Kishte qenë vetëm 9 vjeç kur ishte zgjuar në mesnatë nga krismat e armëve dhe bombave. Kishte përjetuar edhe si dëshmitar okular një nga ngjarjet më heroike të Luftës Antifashiste, Epopenë e lavdishme të Kodrës së Kuqe. Nga ajo ditë e 7 tetorit 1942 ai jetonte me atë ngjarje dhe ëndërronte ta përjetësonte Heroin e tij Vojo Kushi.
Por kur gjithçka kishte përfunduar censura ia bllokoi pikturën sepse Vojo mbi tank ishte këmbëzbathur dhe pa këpucë. Ndaj i kërkuan artistit t’i “vishte” këpucë Heroit. Por kjo i përmbyste të gjithë veprën Mjeshtrit. Ndaj përsëri ua dërgoi pa ndryshime. “Po këpucët ku i ka?”, e pyeten. “Po a nuk ka thënë Partia që Luftën e bënë këmbëzbathurit”, – u përgjigj me dinakëri artisti. “Ke të drejtë, i thanë, aprovohet”,” ka treguar Meta.