Presidenti rus, Vladimir Putin i ka dhënë të hënën shtetësinë ruse ish-kontraktorit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden.
Presidenti rus e ka marrë këtë vendim nëntë vjet pasi Snowden e ka bërë publike mënyrën si kryen vëzhgime Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) në Shtetet e Bashkuara.
Snowden, 39-vjeçar, ka ikur nga Shtetet e Bashkuara dhe ka fituar azil në Rusi.
Më 2013, ai pati folur publikisht për operacionet e brendshme dhe ato ndërkombëtare të agjencisë amerikane, njëherësh vendin e tij të punës.
Autoritetet amerikane kanë kërkuar me vite kthimin e tij në Shtetet e Bashkuara, ku përballet me akuzat për spiunim.
Snowden nuk ka reaguar ende, pasi Kremlini ka publikuar listën e 72 individëve që Putin u ka dhënë shtetësinë.
Më 2020, Rusia i ka dhënë Snowdenit lejeqëndrim të përhershëm, duke i hapur rrugën për aplikim për shtetësi.
Putin, ish-shef i spiunëve në Rusi, ka thënë më 2017 se Snowden ka gabuar kur ka publikuar sekretet amerikane, mirëpo nuk është tradhtar.
Vetë Snowden nuk paraqitet shumë para mediave, prej kohës kur ka nisur të jetojë në Rusi./REL