Një auditim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në shtëpinë e famijës “Zyber Hallulli” ka nxjerr përfundime skandaloze. KLSH thotë në raport se fëmijët ushqehen më pak se norma ditore.
Në raport thuhet se gjatë 3 viteve të fundit fëmijët jetimë janë ushqyer me kuota më pak se udhëzimi në fuqi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Nga stafi i Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë Tiranë nuk është zbatuar niveli i kuotave financiare për shpenzimet ditore të ushqimeve. Vlerat e kuotës së ushqyerjes në vitet 2019, 2020 dhe 2021, për muajt e përzgjedhur për auditim, kanë qenë më të ulëta se kuota e miratuar. Kjo e fundit përgjegjësi drejtpërdrejt e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë Tiranë, dhe akoma me e ulët për shkak të mos indeksimit të çmimeve, përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Sipas KLSH-së, niveli i kuotave financiare të shpenzimeve për ushqime nuk është i përditësuar, duke qëndruar në vlera të njëjta të kostos ditore për çdo grup-moshe të fëmijëve prej vitit 2018, ndonëse përgjatë këtyre viteve ka inflacion të madh dhe rritje çmimesh në produktet ushqimore bazë, si pasojë e situatës së Covid-19 dhe situatave globale.