Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh se Edi Rama u tërhoq nga rritja e çmimit të energjisë elektrike i detyruar nga opozita, por edhe fakti që jemi përpara zgjedhjeve.
“Ky vendim i marrë, shpallur, zhbërë në mënyrat më të turpshme tregon se nuk ekziston shteti i së drejtës. Që nuk ka institucione të pavarura që mbrojnë interesin e qytetarit dhe konsumatorit. Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë.
Me të dyja këto vendime, sidomos me të sotmen u shpall mos ekzistenca e ERE-s. Për arsye se në radhë të parë, vendimi që ERE mori dhe shpalli ishte i pabazuar, në asnjë analizë të sektorit. Por ishte i bazuar vetëm te një vendim i KESH-it.
Është një rast i paprecedent, që KESH të përcaktojë fashat tarifore. Kemi një tejkalim të kompetencave të KESH-it. Kjo tregon se shteti ka rënë dhe kemi një kryeministër provokator.
Kjo është një tërheqje si rezultat i qëndrimeve të prera të opozitës që ka argumentuar se kjo ishte manovër për të mbuluar vjedhjet e qeverisë dhe për t’i kaluar në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve. Është edhe një frikë përpara zgjedhjeve” tha Meta.









