Zgjedhjet lokale po vijnë dhe një pjesë e kryetarëve të bashkive janë në ethe nëse do të marrin besimin për të garuar për një tjetër mandat.
Në vitin e fundit kanë qenë disa takimet që ka realizuar kreu i qeverisë me kryebashkiakët për disa çështje, kryesorja menaxhimi i mbetjeve.
Kritikat ishin të shumta, pasi gjendja nuk është aty ku duhet sipas kryeministrit, por në fjalën e tij vlerësoi tetë kryebashkiakë. Surpriza ishte Himara, që sipas Edi Ramës nga gjumi u zgjua dhe tani është për t’u marrë shembull.
Gjithashtu Pogradeci, Gjirokastra, Elbasani, Kamza dhe Saranda ishin në listën e të vlerësuarve për punën. Për Lezhën nuk ka ndryshim.
Kryesocialisti në cdo takim gjen vend për të përmendur Pjerin Ndreun si histori suksesi. Punën e bashkisë së Cërrikut, përveç kryetarit të PS-së e evidentuan edhe përfaqësuesit e huaj në tryezë.
Fjalët pozitive dhe vlerësimi në këtë moment kanë kuptimin dhe rëndësi të dyfishtë, pasi menaxhimi i mirë i mbetjeve nga këto bashki mund të bindë Ramën që t’u japë shansin këtyre kryetarëve për të rinadiduar për një tjetër mandat.
Megjithatë ka ende shumë muaj përpara dhe kryeministri e ka treguar se është njeriu u surprizave të minutave të fundit. Askush nuk mund të flejë i qetë.
Në takimin e sotëm nuk dihet nëse ishte i pranishëm kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Kamerat nuk e fokusuan në asnjë moment.
Ai ka qenë më i sulmuari publikisht. Pak kohë më parë Leli e njoftoi vendimin se nuk do të rikandidojë për një tjetër mandat në Vlorë.