Efektivi i policisë së burgjeve Flamur Bejko është vendosur sot në pranga bashkë me 13 persona të tjerë, si pjesë e një grupi kriminal që vepronte në Tiranë dhe në Durrës. Ai akuzohet se porositi një vrasje të dyfishtë. Bejko porositi vrasjet e S.Z dhe I.H.
Vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj treguan se janë paguar paraprakisht me shumën 3500 euro dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngjarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik.
Por cila ishte arsyeja që polici i donte të vdekur dy personat? Shënjestrat S.Z. dhe I.H. kanë qenë të dy të dënuar për drogë. Flamur Bejko ka qenë gardian në burgun e Durrësit dhe ishte personi që fuste drogën në ambientet e burgut për llogari të dy të dënuarve.
Këta nuk i kanë dhënë lekët e futjes të drogës në burg dhe kur kanë dalë jashtë ai ka vijuar t’ua kërkojë. Dy të dënuarit e kanë dhunuar fizikisht gardianin dhe për pasojë ai ka dashur të hakmerret, duke kontraktuar vrasës me pagesë për ekzekutimin e S.Z dhe I.H.