Dy vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj janë arrestuar nga policia e Durrësit si vrasës me pagesë. Për të shpëtuar nga “gropa” ku kishin rënë, vëllezërit pranuan që të tregojnë shokët. E gjithë dosja rrotullohet rreth Kasandër Nogës që kishte porositur pesë vrasje. 150 mijë euro i kishte dhënë për kokën e Erion Hasanbelliut, hasmit të vjetër dhe dy nipërve të tij.
Porosia për dy vëllezërit ishte dhënë nga Kevin Zeneli dhe Ilirjan Feci (që ndodhet në burg). Gentian dhe Indrit Beqiraj tregon se përgatitën terrenin por nuk e kryen vrasjen, pasi skuadra e qitësve ndryshoi në fund. Në dëshminë e tyre dy vëllezërit thanë se vrasjen e kreu Kevin Zeneli që e ndihmuan më pas të arratiset jashtë vendit.
Po sipas tyre, ishin paguar edhe për vrasjen e Arben Mërkurit në qytetin e Durrësit. “Maneci” u vra në maj. Sipas policisë nga hetimet e thelluara rezultoi se 2 vëllezërit kishin siguruar kushtet për kryerjen e vrasjes së tij.
Porosia u dha nga Kevin Zeneli me urdhër të Nogës. Por, policia thotë se ende nuk është zbardhur plotësisht se nga kush është kryer kjo vrasje. Vëllezërit nuk pranojnë që kanë kryer vrasjen.
Gjithashtu ata janë porositur edhe për vrasjen e Pëllumb Muharremit (Rrumit). Gjithashtu, dy vëllezërit janë kontaktuar dhe porositur edhe nga polici i burgjeve Flamur Bejko që kundrejt pagesës të kryenin vrasjen e S. Z. dhe I. H.
Për këtë veprimtari kriminale, vëllezërit kanë marrë një shumë paraprake prej 3500 eurosh dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngjarje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022.
Gentiani dhe Indriti deklaruan se pavarësisht lekëve dhe porosisë nuk i kryen vrasjet. Pyetja që shtrohet është se dy vëllezërit që janë cilësuar dhe akuzuar si vrasës me pagesë, cilin kanë vrarë me dorën e tyre?
Deri tani, të paktën nga deklarata e policisë, dy vëllezërit nuk pranojnë që të kenë kryer vrasjen në “Don Bosko”, por as ekzekutimin e “Manecit” në Durrës. Në të gjitha rastet pranojnë që janë kontaktuar duke marrë porosi e kapar dhe asnjërën nuk e kanë çuar deri në fund. A duhet t’u besohet gjithçka që kanë dëshmuar?