Kryetari i PD-së, Sali Berisha i kërkoi sot grupit të deputetëve që janë në krah të Enkelejd Alibeajt, por edhe partive opozitare me në krye Partinë e Lirisë që të ulen për të arritur një ujdi për reformën territoriale. Ish-kryeministri kërkoi që opozita të dalë me një draft të vetëm.
“Le të ulemi dhe të arrihet në një draft të PD-së që të përfaqësojnë interesat më të mira të qytetarëve. Ulja dhe gjetja e një ujdie për një projekt që ta mbështesin të gjithë deputetët e opozitës.
Mendoj se duhet të diskutohet me aleatët, Partinë e Lirisë. Me të gjitha partitë opozitare. PDIU, PR, PBDNJ, PAA-në, LZHK-në. Duhet të diskutojmë dhe krijojmë një mbështetje të të gjithë opozitës” tha ai.
Grupi i Enkelejd Alibeajt e dorëzoi sot draftin në Kuvend dhe në mesditë zhvilloi një takim me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së duke kërkuar mbështetjen e tyre për të bindur Edi Ramën që të rrisë numrin e bashkive.