Zbardhet dëshmia e dy vëllezërve Indrit dhe Gentian Beqiraj që akuzohen nga policia dhe prokuroria si vrasës me pagesë. Me dëshmitë e tyre u arrestuan 14 persona dhe 5 janë në kërkim.
Pesë vrasje, sipas tyre, i kishte porositur Kasandër Noga që është aktualisht i arrestuar në Belgjikë. Objektivi i parë ishte Geron Geron Hasanbelliu, hasm i vjetër i Nogës.
Për vrasjen e tij dhe të nipërve, dy vëllezërit do të merrnin 150 mijë euro. Por ata kanë deklaruar se nuk e kryen krimin, pasi shënjestra ishte shumë e vështirë.
“Kevin Zeneli, një i njohuri ynë na ofroi punë. Kevin tha se do na jepte një punë që e kishte porositur Kasandër Noga. Kevini na tregoi fotografinë e Geron Hasanbelliut. Duhet ta gjenim, ta vëzhgonim dhe ta eliminonim.
E gjetëm në Don Bosko, prandaj morëm dhe shtëpi me qira aty. E kemi ndjekur gati gjithë muajin dhjetor të 2021. Dy ditë para Vitit të Ri u dorëzuam dhe i thamë Kevinit se nuk mund ta kryejmë dot, sepse është objektiv i vështirë.
Makinën që kishim marrë për të kryer ngjarjen ia dhamë Kevinit. Më pas më 4 janar ngjarjen e kreu ai me mjetet që kishim siguruar ne”, pohuan vëllezërit Beqiraj.
Dy vëllezërit kanë kërkuar që familja e tyre të merret në mbrojtje pas dëshmive. Pas dëshmisë së vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj, prokuroria po rikthehet vendngjarjet për të verifikuar nëse deklaratat e tyre janë apo jo të vërteta.