Dëshmitë e dy vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj çuan dje pas hekurave 14 persona të dyshuar për porositje dhe vrasje, 5 janë ende në kërkim. Mes personazheve që kërkohen nga policia është edhe “Rrumi” i Shijakut.
I njohur edhe me emrat Pëllumb Muharremi dhe Aleksandër Laho ai ishte në shënjstrën e dy vëllezërve, që thanë se ishin porositur për ta ndjekur dhe për ta vrarë.
Por kush e do të vdekur? Porosia sipas vëllezërve erdhi nga Belgjika, Kasandër Noga përmes Kevin Zenelit. Por plani u zbulua nga vetë shënjestra.
Por kush është “Rrumi” i Shijakut?
I skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, pjesa më e madhe e të cilave nuk i është provuar, “Rrumi” është mik i prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji, i shkarkuar nga vettingu.
Ai mbeti i plagosur me një plumb në nofull, gjatë atentatit kundër prokurorit disa vite më parë. Njihet si “i forti” i Shijakut, por “bëmat” e tij duket se kanë një rreze më të gjerë se brenda hapësirës së 4 rrugëve të vendlindjes së tij.
Më 14 shtator të vitit 2016, Policia e Tiranës shoqëroi 3 persona të dyshuar si autorë të rrahjes së biznesmenit amerikano-libanez, Fadi Mitri, në rrugën e Rinasit.
Të dyshuarit ishin të tre nga Shijaku; Skënder Krahja, Landi Muharremi dhe Arben Mërkuri, të tre nga Shijaku.
Landi Muharremi u hetua edhe për rrahjen e një avokati, ngjarje për të cilën po ashtu nuk u arrestua asnjëherë.
Dyshimet se përse e donin të vdekur “Rrumin” janë disa; nga konfliktet mes bandave për territor, larja e hesapeve, por edhe pronat në bregdet.
Tashmë policia nuk është e fokusuar vetëm te Ervis Martinaj për të mësuar fatin e tij, por edhe te kapja e “Rrumit” që përpos policisë, ashtu si “mbretin” e basteve e kërkojnë edhe armiqtë.