Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë raportuar tre raste përdhunimi.
Dy raste kanë ndodhur në Gjakovë dhe një në Ferizaj, ndërsa të dyshuar për këto raste janë katër meshkuj.
Rasti i parë është raportuar të martën nga një femër në Ferizaj, e cila është dhunuar nga ish i fejuari i saj,
“Viktima femër kosovare ka njoftuar se ish i fejuari i saj, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë në lidhje me këtë rast.
Rasti i dytë ka ndodhur në Gjakovë, ku një femër ka raportuar se dy persona të dyshuar të maskuar me dhunë e kanë futur në veturën e tyre dhe kanë dhunuar seksualisht.
Viktima është dërguar për trajtim mjekësor.
Policia ka bërë të ditur se pas hetimeve të zhvilluara është identifikuar një i dyshuar dhe i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti i tretë, po ashtu në Gjakovë, një femër ka raportuar se i dyshuari mashkull me dhunë e ka futur në veturën e tij dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
“I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.