Sot gjykata e posaçme vendosi që të lironte nga qelia pas gjashtë muajsh ish-deputetin Alqi Bllako.
Gjykata pranoi kërkesën e Bllakos për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie” me pretendimin e rrethanave familjare.
E ndërsa opinioni priste që pas hekurave të shkonin edhe zyrtarë të tjerë të lartë, ky vendim jo vetëm që liroi Bllakon, por mund t’i hapë derën e burgut dhe ish-ministrit Lefter Kokës.
Deri tani Koka ka bërë disa tentativa për të dalë nga qelia me pretendimin e gjendjes së tij shëndetësore, por gjykata i ka refuzuar.
Por duke parë vendimin për Bllakon, nuk përjashtohet një tjetër lëvizje e Lefter Kokës, ndoshta duke përdorur një pjesë të strategjisë dhe argumenteve të Bllakos për të dalë nga qelia.
Koka ka qenë i shtruar në spitalin e burgut për shkak të komplikacioneve shëndetësore.
Bllako u arrestua në 31 mars pasi hoqi dorë nga mandati i deputetit nisur nga kërkesa e SPAK-ut drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Sipas SPAK-ut ai ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit.
Kjo shkelje, thotë Prokuroria e Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi.
Ish-ministri Koka vijon që të jetë në burg. Dy njerëzit kryesor të skemës së inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë në arrati dhe pagesat për kompanitë e tyre vijojnë normalisht nga qeveria.