Në Pragë të Çekisë u mblodhën liderët e 44 vendeve evropiane për t’i dërguar një sinjal të qartë Rusisë se Evropa është e bashkuar dhe pa të.
Emanuel Macron, ideatori i Komunitetit Politik Evropian, tha nga Praga se samiti përurues i Bashkësisë Politike Evropiane “tregon unitetin e kontinentit evropian, teksa ai po përballet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë”.
Sipas tij synimi, pikë së pari, është “të këmbehen pikëpamjet për situatën në Evropë, por po ashtu për të ndërtuar një strategji të përbashkët”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi rëndësinë e takimit për të demonstruar unitet në rrethanat e Luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Ata që po takohen këtu e dinë se sulmi rus ndaj Ukrainës është shkelje brutale e rendit të sigurisë dhe paqes që kemi pasur në Evropë në dekadat e fundit.
Është e rëndësishme që ky sulm të mos pranohet, ne nuk pranojmë që pjesë të fqinjit tonë të aneksohen”, tha Scholz.
Scholz: KPE nuk do të jetë institucion me administratë
Ndërsa, sa i përket Samitit Kancelari i Gjermanisë tha se duhet pasur kujdes që forumi i Komunitetit Politik Evropian të mos shndërrohet në një institucion të ri ndërkombëtar.
“Nuk kemi të bëjmë me krijimin e një institucioni të ri me administratë dhe burokraci. Ky takim duhet të na shërbejë për të biseduar me njëri-tjetrin për gjëra konkrete”.
Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell tha se “Komuniteti synon të krijojë një strukturë të re sigurie, por pa Rusinë”.
Borrell tha se Komuniteti Politik nuk do ta përjashtojë Rusinë përgjithmonë, por “kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend këtu”.
Komuniteti Politik Evropian, sipas Presidencës Çeke të radhës së Bashkimit Evropian nuk do të jetë zëvendësuese e procesit të zgjerimit, sidomos me vendet e Ballkanit Perëndimor.DW