Politika vazhdon të ndërhyjë në botën e sportit. Në shortin e kualifikueseve të Euro 2024, Rumania ka një prej rivalëve Kosovën, e pikërisht këtu qëndron problemi.
Rumunët nuk njohin Kosovën si shtet dhe për këtë arsye, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë, Teodor Melescanu thekson se përballja mes tyre nuk duhet të zhvillohet.
Madje, si opsion i mundshëm mund të pranohet edhe humbja 3-0 në tavolinë ndaj Dardanëve.
“Kosova nuk është e pranuar nga një numër shtetesh, duke përfshirë shtetin tonë, Rumaninë. Ne asnjëherë nuk kemi pranuar pavarësinë e Kosovës. Normalisht, ajo që mund të bëhet tani është që Federata jonë e futbollit, të diskutojë me shtetet tjera që kanë pozicion të njëjtë si Rumania dhe së bashku të gjejnë një rrugë që nuk do të shkatërronte gjithë sistemin dhe nuk do të shpërfillnin gjërat që janë shumë të qarta nga këndvështrimi i Rumanisë. Duhet të gjejë një zgjidhje Federata Rumune e Futbollit. Nëse jo, më mirë të humbasim me shifrat 3-0 me Kosovën në tavolinë”, tha Melescanu.