Sipas një raporti të ri nuk ka asnjë mjedis apo vend të botës ku njerëzit nuk përballen me paragjykime për shkak të sëmundjeve të shëndetit mendor.
Sipas organizatave bamirëse dhe studiuesve të shëndetit mendor, një sëmundje që nuk është e lehtë të vërehet, shpesh nuk shihet me seriozitet.
Raporti i publikuar në revistën mjekësore “Lancet” bën thirrje për veprim për t’i dhënë fund asaj që ata thonë se është stigma dhe diskriminimi ndaj njerëzve me probleme të shëndetit mendor në mbarë botën.
Raporti titullohet “Më keq se vetë sëmundja” sepse njerëzit që vuajnë nga sëmundje mendore u thanë studiuesve se stigma që vjen kur njerëzit mësojnë për sëmundjen e tyre, është më e keqe se vuajtja në heshtje.
“Është paradoks, pse duhet të hezitojmë kaq shumë të flasim për këtë? Sepse njerëzit besojnë gjëra të gabuara. Njerëzit krijojnë lidhje të padrejta mes sëmundjes mendore dhe dhunës.
Ata mendojnë se njerëzit që kanë një problem të shëndetit mendor nuk janë të besueshëm, nuk janë partnerë të mirë në martesë ose nuk janë kolegë të mirë pune”, thotë bashkautori i raportit, Profesori i Psikiatrisë Komunitare, Graham Thornicroft nga Kolegji “King”në Londër.
Studiuesit thonë se në shumë vende ku ka varfëri, nuk ofrohet trajtim dhe në disa vende trajtimet psikiatrike as që janë dëgjuar.
Raporti pretendon se kushtet e shëndetit mendor dhe varfëria janë veçanërisht shkatërruese në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Organizata të tjera që merren me shëndetin mendor si “Koha për të Ndryshuar Uellsin”, rajonin në Mbretërinë e Bashkuar po i nxit njerëzit që të jenë më të përgjegjshëm ndaj të tjerëve që mund të kenë sëmundje psikiatrike. Videoja promocionale që kanë publikuar së fundi nënvizon problemin e stigmës me të cilën përballen personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mëndor.









