Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi pasditen e djeshme u mor në pyetje në SPAK për të paktën një orë.
Duket se për të shmangur praninë e madhe të kamerave, Agaçi shkoi në prokurori pas përfundimit të orarit zyrtar.
Prokurori që e mori në pyetje është Dritan Prençin i cili ka nën hetim çështjen e Inceneratorit të Tiranës.
Për çfarë u pyet në SPAK?
Vetë Agaçi nuk pranoi të komentonte, por dosja e bujshme për të cilën është akuzuar nga opozita lidhet me inceneratorët.
Më herët Agaçi ka dhënë dëshmi në Komisionin Parlamentar e ngritur për hetimin e Inceneratorëve, për të cilat është në burg Lefter Koka dhe në arrest shtëpie ish deputeti i PS Alqi Bllako.
Por për çfarë e akuzon konkretisht Sali Berisha, sekretarin e përgjithshëm të Edi Ramës që i referohet si “Don Agaçio”?
“Arben Ahmetaj është strumbullar i vjedhjes monstruoze. Por para se të shkojmë te ai, dua të ndalem te i dyti pas Edi Ramës. Ai është mafiozi, që unë e kam quajtur Don Agaçio Dhuratmadhi.
Ky mafioz ka shkelur nga Kodi Penal, nenet e shpërdorimit të detyrës, e shkeljes së barazisë në tendera, e fshehjes së të ardhurave, e përfitimit të paligjshëm, korrupsionit pasiv, pastrimit të produkteve të veprave penale, moskallëzim krimi, etj.
Ai, në mënyrë më të papërgjegjshme, është promotor i aplikimit të procedurës me negociata të mbyllura. Po rikujtoj këtu se, detyra e tij më kryesore është një: të shikojë përputhjen me aktet ligjore të vendimeve të qeverisë.
Autoriteti kontraktues nuk ka shpallur asnjë procedurë, por e ka dhënë me negociata të mbyllura si në shpellat e mafias. Këtu fillon afera e tmerrshme mbi 450 milionë euro të vjedhura” shprehet Berisha.