Mesditën e sotme pritet vendimi për deputetin e PD-së Ervin Salianji. Në gjykatën e Apelit ka shkuar i shoqëruar me grupin e deputetëve të PD-së.
Përpara nisjes së seancës, Salianji i shoqëruar nga kolegët kanë konsumuar kafen e fundit para vendimit. Nuk kanë munguar batutat dhe qeshja e sforcuar e deputetit të PD-së.
Pasi porositi kafen dhe ujë pa gaz është fiksuar nga kamerat duke biseduar me avokatin me laps në dorë duke bërë llogaritë.
Shkalla e parë e dënoi Salianjin me një vit burg për dosjen “Babale” me akuzën e kallëzimit të rremë.
Nëse sot Gjykata e Apelit do të konfirmojë vendimin, deputeti Salianji rrezikon burgun dhe prangat do i vendosen në sallën e gjyqit, gjithmonë nëse dënimi nuk konvertohet në shërbim prove.
Por përse u dënua Salianji nga shkalla e parë?
Deputeti dhe gazetari Jetmir Olldashi u shpallën fajtorë nën akuzën e kallëzimit të rremë lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj në trafikun e drogës.
Tre janë rrugët; dënim me burg, i konvertuar në shërbim prove ose i pafajshëm.