-sidi education-spot_img
28.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shpresë në Kosovë, propozimi francez për vizat mund të ndryshojë?

Kryesoret

Kushtëzimet e reja për liberalizimin e vizave për Kosovën, të iniciuara nga Franca, mund të mos kalojnë në Këshillin e Bashkimit Evropian, thotë profesori i shkencave politike në Universitetin e Oksfordit, Dimitar Bechev.

Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e të ashtuquajturit sistem ETIAS.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

ETIAS është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Bechev thotë se kërkesa franceze për liberalizimin e vizave për Kosovën, tash për tash, duhet të shihet vetëm si propozim.

“Këshilli (i BE-së) mund ta modifikojë në mënyrë dramatike propozimin”, thotë ai.

Në takimin e 13 tetorit u shqyrtua raporti i përditësuar teknik nga Komisioni Evropian, që konfirmon përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës.

Nëse do të kishte pajtim mes vendeve anëtare të BE-së, atëherë ambasadorët e këtyre vendeve do ta bartnin përgjegjësinë te Parlamenti Evropian, Këshilli i BE-së dhe Komisioni Evropian, për nisjen e bisedimeve trepalëshe në lidhje me këtë çështje.

Meqë nuk kishte pajtim, diskutimet do të vazhdojnë në grupin punues të Këshillit të BE-së më 9 nëntor, ndërsa, deri atëherë, vendet anëtare do të zhvillojnë edhe konsultime ndërmjet vete.

Po ashtu, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, vendet anëtare të BE-së kanë afat deri më 21 tetor që t’i dërgojnë komentet e tyre me shkrim lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në lidhje me motivin e Francës për kushtet shtesë, Bechev thotë se ajo synon forcimin e BE-së.

“[Franca] përdor zgjerimin për të nxitur rishikimin e politikave [brenda BE-së]”, thotë ai.

Franca nuk është e vetmja që mbështet idenë për ta lidhur ETIAS-in me lirinë e lëvizjes së kosovarëve. Belgjika dhe Spanja e mbështesin po ashtu, ndërsa Suedia, Holanda dhe Italia janë duke e konsideruar atë. Gjermania, megjithatë, është fuqishëm kundër propozimit.

I pyetur nëse presioni i mundshëm i Gjermanisë mund ta ndryshojë qëndrimin e Francës, Bechev thotë se “ajo ka mjaft ndikim në këtë çështje, marrë parasysh madhësinë dhe vendndodhjen e saj gjeografike”.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Jashtme dhe atë të Brendshme të Francës në lidhje me kërkesat e shtetit të tyre dhe nëse ka mundësi që Parisi të tërhiqet nga ky pozicion, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk mori përgjigje.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit