Hakerat iranianë nuk ndalen. Pas ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, radhën e ka pasur një tjetër zyrtar i lartë. Këtë herë bëhet fjalë për Drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo. Në kanalin e tyre në Telegram “Homeland Justice”, publikuan një dokument me të gjitha të dhënat personale të kreut të SHISH.
Së pari, aty renditen të gjitha të dhënat personale të Bendos. Gjenden numrat e telefonit, adresa e saktë, makinat që ka në zotërim ai dhe bashkëshortja e tij. Janë publikuar numri i kartës së identitetit dhe të gjitha numrat e pasaportave që zotëron (të zakonshme apo diplomatike). Po ashtu, janë të publikuara të gjitha hyrjet dhe daljet e kreut të SHISH nga territori shqiptar.
Dokumentet me të cilat ka udhëtuar nga 2005 deri në 2021. Janë publikuar të përshkruara të gjitha udhëtimet e tij jashtë vendit nga 1 prilli 2005 (kur ka shkuar në Athinë) dhe deri në 22 mars 2022 kur ka dalë me makinë nga pika kufitare e Qafë Botës. Bëhet fjalë për 63 udhëtime gjithsej jashtë vendit ku përfshihet, Greqia, Italia, Turqia, Austria, etj.
Në mesazhin e tyre “Homeland Justice” kërcënon autoritetet shqiptare për mbrojtjen që u kanë dhënë ‘terroristëve’ të MEK.
“Për sa kohë që ju nuk mbani një “fre” të ngushtë mbi aktivitetet terroriste të MEK-ut dhe për sa kohë që anëtarët e varfër të MEK-ut nuk “lidhen” në vende të tjera, publikimet tona do të jenë të vazhdueshme. Nëse doni ndonjëherë të mbani një Shqipëri të sigurt, i jepni fund jetës së garnizonit të banorëve të Durrësit dhe jepuni atyre kënaqësinë e një jete qytetare dhe urbane” – thuhet në mesazhin tyre.