Diplomati amerikan u ndal të flasë edhe për forumin “Gratë, Paqja, Siguria” (WPS), i cili do të organizohet nga presidentja Vjosa Osmani, duke e cilësuar këtë si ngjarje që i kontribuon agjendës së përbashkët të demokracisë dhe lirisë.
“Jam shumë krenar që Kosova ka kontribuar shumë për agjendën tonë të përbashkët dhe mendoj se ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë indikator i rëndësishëm se si Kosova po kontribon në mënyrë pozitive për agjendën e përbashkët të demokracisë dhe të lirisë dhe e falënderoj Kosovën, ju falënderoj juve që do të jeni nikoqire e kësaj ngjarjeje gjatë kësaj jave. Ju faleminderit edhe njëherë”, tha Escobar.
Pas takimit me Kurtin, Escobar foli për implikimet që ka dialogu në rajon dhe kështu doli te rëndësia e mbështetjes së SHBA-së për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës.
“Është një partneritet i palëkundshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe diskutuam edhe për çështjet e marrëdhënieve me Serbinë, implikimet rajonale nga dialogu, rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin, sigurinë tuaj dhe sa është e rëndësishme të rreshtoheni me vlerat europiane në këtë kohë shumë të rëndësishme krize në kontinentin europian”, tha Escobar.
“Dhe pata dëshirë që të theksoj sërish”, shtoi Escobar, duke përsëritur se “Shtetet e Bashkuara e mbështesin Kosovën në të gjitha aspiratat e saj euro-atlantike dhe do të shohim mundësitë për të pasur partneritet me Republikën e Kosovës për ta mundësuar një gjë të tillë”.
Në fund, ai pati një falënderim për miqësinë, partneritetin dhe pritjen nga kryeministri./Express