Të premten më 21 tetor, sekretarët e mbrojtjes së SHBA-së dhe Rusisë zhvilluan një bisedë telefonike, në një moment të rrallë kontakti të nivelit të lartë midis dy vendeve që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës. Si SHBA-ja ashtu edhe Rusia konfirmuan se sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin dhe homologu i tij rus Sergei Shoigu diskutuan për situatën në Ukrainë.
Pas telefonatës së të premtes, Pentagoni bëri të ditur se Austin kishte “theksuar rëndësinë e mbajtjes së linjave të komunikimit në mes të luftës së vazhdueshme kundër Ukrainës”.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se “u diskutuan çështjet aktuale të sigurisë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe situatën në Ukrainë”.
Pas bisedës së tyre të mëparshme në maj, Austin i kërkoi homologut të tij të vendoste një armëpushim të menjëhershëm – një kërkesë që nuk u përmend këtë herë.
Biseda e dy zyrtarëve erdhi në kohën pas aludimeve të presidentit rus Vladimir Putin se ai mund të jetë i gatshëm të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, dhe paralajmërimet nga presidenti i SHBA-së Joe Biden, nëse një gjë e tillë do të ndodhte.
Marrëdhëniet tashmë të ftohta midis SHBA-së dhe Rusisë u përkeqësuan edhe më shumë që nga pushtimi i Ukrainës./REL