Lufta është rikthyer në Evropë. E kemi dëgjuar vazhdimisht këtë fjali që nga 24 shkurti, kur Rusia nisi luftën e saj të pamëshirshme kundër Ukrainës. Unë si një grua e lindur në vitin 1980 në Gjermaninë Perëndimore, pata privilegjin të mos e përjetoja kurrë luftën.
Ndaj herën e parë që e pashë me sytë e mi se çfarë do të thotë lufta, ishte kur udhëtova në Ukrainë. Atje pashë se çfarë do të thotë për nënat, baballarët, motrat dhe miqtë. Pashë fotot e civilëve të vrarë në Bucha, shtëpitë dhe makinat e bëra copë-copë nga bombardimet nën Irpin.
E kuptova kur bisedova me gra që mbështesnin gra të tjera që ishin përdhunuar nga rusët. Në atë moment, ndjeva atë që shumë prej jush dhe shumë nga miqtë tanë në vendet baltike e kanë ndier që nga 24 shkurti: ukrainasit mund të jemi të gjithë ne. Shumë prej jush këtu
në këtë sallë i kanë përjetuar vetë tmerret e luftës. Ju e dini se si është kur nënat dhe baballarët, vëllezërit dhe motrat, nuk do t`i përqafojnë më kurrë fëmijët ose vëllezërit dhe motrat e tyre.
Ju e dini se çfarë do të thotë të shohësh varre masive. Ju e dini shumë mirë se çfarë do të thotë të mendosh: Nëna ime mund të jetë në një nga këto varre! Në rast se duam të kuptojmë pasojat e luftës, atëherë duhet të dëgjojmë ata që e kanë përjetuar atë. Kjo është arsyeja pse ju jam mirënjohës që e keni ngritur zërin gjatë muajve të fundit, por edhe gjatë viteve të fundit.
Së bashku, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja e kanë dënuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Shkeljet e saj të së drejtës ndërkombëtare, krimet e saj të luftës, gënjeshtrat e saj për të justifikuar sulmin. Këtë muaj, si pjesë e një grupi prej 143 shtetesh, ne e bëmë të qartë në Kombet e Bashkuara, se referendumet e rreme të Rusisë në Ukrainën Lindore janë të pavlefshme, se ato nuk janë gjë tjetër veçse grabitje të paligjshme tokash.
Edhe për disa kohë, Rusia e presidentit Putin do të jetë një kërcënim për sigurinë dhe lirinë në kontinentin tonë. Por Putin nuk do të ketë sukses në frikësimin apo përçarjen tonë. Përkundrazi, ai vetëm sa na ka afruar më shumë. Ai e nënvlerësoi që në fillim forcën dhe vullnetin tonë për të mbrojtur lirinë në kontinentin tonë.
Evropa jonë është një Evropë e bashkuar, në paqe dhe besim të ndërsjellë, dhe do jetë kështu përgjithmonë. Dhe në këtë moment, kur rendi evropian i paqes është sulmuar siç nuk është parë në dekada, është bërë edhe më e qartë një gjë: Paqja, stabiliteti dhe progresi ekonomik që arritëm në Ballkanin Perëndimor janë thelbësore, dhe është jetike që të gjitha vendet e rajonit të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Ky është një prioritet për qeverinë gjermane. Për këtë e thirrëm dhe konferencën e sotme. Dhe Procesi i Berlinit ka të bëjë me futjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe për të siguruar paqen, stabilitetin dhe përparimin ekonomik për brezat e ardhshëm, raporton abcnews.al.
Historia jonë është një histori që ia vlen të ndahet më të tjerët, sidomos në kohë lufte. Që nga fillimi i tij në vitin 2014, Procesi i Berlinit ka lidhur njerëz dhe vende në Ballkanin Perëndimor. Së bashku kemi ndërtuar rrugë dhe shina mbi të cilat kamionët dhe trenat po transportojnë gjithnjë e më shumë produkte në të gjithë rajonin.
Vitin e kaluar ju hoqët tarifat roaming, duke i bërë më të lira telefonat me familjarët por edhe partnerët e biznesit gjatë udhëtimeve në rajon. Disa njerëz mund të qeshin kur shohin që tarifat roaming trajtohen si një çështje sigurie. Por partnerët dhe institucionet evropiane që janë të pranishëm në këtë tryezë: këto çështje të përditshme janë vendimtare për qytetarët.
Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor – RYCO – ka bashkuar mijëra të rinj: përmes shkëmbimeve shkollore dhe seminareve – dhe shumë shpejt edhe përmes projekteve kulturore për artistë, muzikantë dhe aktorë, falë fondit të ri të kulturës rinore që po krijojmë tani.
Që të gjithë ju keni ndihmuar që Procesi i Berlinit të jetë një histori e madhe suksesi. Dhe ne do t’i shtojmë një kapitull tjetër të rëndësishëm: Në negociatat e udhëhequra nga Përfaqësuesi ynë Special për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin – një pozicion i ri që krijuam së fundmi – qeveritë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë zotuar të nënshkruajnë 3 marrëveshje rajonale mbi lëvizshmërinë.
Me këto marrëveshje, njerëzit e vendeve tuaja do të mund të kalojnë kufijtë në Ballkanin Perëndimor duke përdorur vetëm kartat e tyre të identitetit. Universitetet do të njohin diplomat e njëri-tjetrit. Dhe punëdhënësit tuaj do të pranojnë kualifikimet profesionale për vendet e rajonit.
Këto mund të duket si teknike, por në fakt janë hapa historikë, që do të ndryshojnë jetën e njerëzve. Kjo do të thotë që të rinjtë boshnjakë dhe kosovarë do të vizitojnë njëri-tjetrin pa viza, diçka që ne e bëjmë çdo ditë në Bashkimin Evropian. Kjo do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre bachelor për të vazhduar studimet në Maqedoninë e Veriut.
Dhe që një arkitekt nga Serbia mund të shkojë të punojë në Malin e Zi. Tregu i brendshëm evropian ka të bëjë me këto liri. Të marra së bashku, këto 3 marrëveshje hapin rrugën për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Me ngritjen e këtij tregu, dhe me nënshkrimin e 3 marrëveshjeve në samitin e ardhshëm në nëntor, ju po bëni një hap të rëndësishëm përpara në procesin e anëtarësimit në BE. Ju po ua lehtësoni jetën qytetarëve. Dhe ju po i ndihmoni kompanitë tuaja të nxisin tregtinë dhe rritjen ekonomike në të gjithë rajonin.
Por le të mos ndalemi këtu, le të synojmë më shumë bashkëpunim rajonal përmes Procesit të Berlinit: mbi energjinë, tranzicionin e gjelbër dhe krizën klimatike. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, ka treguar se ne duhet të përshpejtojmë kalimin tek burimet e rinovueshme, jo vetëm për ta luftuar krizën e klimës, por edhe për të pasur më shumë siguri energjetike.
Ne e kemi parë muajt e fundit se si energjia është përdorur si armë nga Moska. Gjatë vizitës që zhvillova në Kosovë në mars, inaugurova parkun e parë të madh që punon me energjinë e erës, investimi më i madh i huaj deri më sot në këtë vend.
Parqet e erës prodhojnë deri në 10 për qind të të gjithë kapaciteteve të instaluara të energjisë elektrike të Kosovës, dhe sigurojnë energji elektrike për më shumë se 100.000 familje. Ndërkohë të gjithë kemi qenë dëshmitarë të sulmeve të rënda kibernetike kundër Shqipërisë dhe Malit të Zi këtë vit.
Nëpunësit publikë nëpër ministri nuk mund të përdornin për javë të tëra portalin e tyre qeveritar, dhe ndonjëherë duhej të riktheheshin tek lapsi dhe letra për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve të tyre. Kërcënimet kibernetike nuk njohin kufij, dhe kur fqinjët tanë nuk janë të sigurt, as ne nuk jemi të sigurt.
Kjo është arsyeja pse unë po sugjeroj një partneritet për të forcuar kapacitetet rajonale kibernetike përmes Procesit të Berlinit. Nëpërmjet këtij partneriteti, ne mund të ndajmë përvojën tonë se si të mbrojmë spitalet dhe termocentralet nga sulmet kibernetike, raporton abcnews.al.
Gjermania dhe partnerët tanë janë të gatshëm të kontribuojnë me ekspertë, trajnime dhe stërvitje kibernetike. Le të punojnë së bashku për të ngritur ekipe rajonale të reagimit ndaj emergjencave, në mënyrë që ju të mund të veproni menjëherë dhe përtej kufijve kur sulmojnë hakerat.
Unë e kuptoj padurimin tuaj për përparimin e ngadaltë drejt anëtarësimit, dhe e diskutuam këtë së bashku kohët e fundit si ministra të jashtëm në Bruksel. Por për fat të mirë, këtë vit kemi bërë përparime: Pas një bllokade të gjatë, më në fund kanë nisur bisedimet e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Tani, edhe BE duhet të përmbushë premtimet e saj. Kam dëgjuar nga ju se sa guxim personal ju është dashur që të mbërrini deri këtu. Mendoj se lidershipi evropian ka të bëjë pikërisht me këtë: të jesh i gatshëm si politikan për të ndërmarrë rreziqe dhe hapat e nevojshëm për shoqërinë tuaj dhe në fund të fundit, për paqen në kontinentin tonë.
Dhe kjo është arsyeja pse unë u bëj thirrje miqve të mi evropianë këtu në tryezë dhe në Bashkimin Evropian: tani, ne si BE duhet të përmbushim gjërat që i kemi premtuar shumë kohë më parë, siç është liberalizimi i vizave për Kosovën. Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të shpejtoni reformat në interes të qytetarëve tuaj.
Rruga që keni zgjedhur është e ardhmja. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu së bashku si evropianë në Procesin e Berlinit. Një e ardhme evropiane që ju lejon ju dhe fëmijët tuaj të jetoni në liri dhe në paqe. Jam e bindur se së bashku, ne mund ta ndërtojmë këtë të ardhme.
Lufta mund të kthehet në Evropë, por ajo nuk do të zgjasë shumë.
Marrë me shkurtime
Shënim: Fjala hapëse e Ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, në Konferencën e Ballkanit Perëndimor mbajtur javën e kaluar në Berlin. Abcnews.al