Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.
“Angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër, zbatimi i udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale, ishin ndër temat e takimit”, thuhet në njoftim për media nga zyra e Kurtit.
Sipas njoftimit, Peach ritheksoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, si dhe për nismat për bashkëpunim rajonal.
“Duke theksuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Kryeministri Kurti ritheksoi synimin dhe angazhimin e Qeverisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s”.
Lidhur me invazionin dhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë, u theksuan pasojat ekonomike dhe energjetike të agresionit rus.
“Kryeministri Kurti e njoftoi emisarin Peach për masat e ndërmarra nga Qeveria, në mbështetje të qytetarëve, nëpërmjet Pakos për Përballje me Inflacionin si dhe asaj të Ringjalljes Ekonomike”.
Në njoftim theksohet se është biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal dhe Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit”.
Po ashtu, u fol dhe për Samitin e Ballkanit Perëndimor “The Western Balkans Summit 2022”, organizim i The Economist, që do të mbahet të martën në Prishtinë.