Kryeministri me mandat teknik, Dritan Abazoviç, pritet që të udhëheqë me dy pozita kyçe në Qeverinë e Malit të Zi.
Përveç pozitës së shefit të qeverisë, ai do të drejtojë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi pas shkarkimit të Ranko Krivokapiç-it nga Parlamenti malazez.
Kurse, ministri aktual i Punëve të Brendshme, Filip Axhiç, do të marrë pozitën e ministrit të Mbrojtjes, duke zëvendësuar kështu Rashko Konjeviç-in, transmeton mediumi malazez “Antena M”.
![](http://5pyetjet.al/wp-content/plugins/a3-lazy-load/assets/images/lazy_placeholder.gif)
Në sqarimin e kreut të ekzekutivit thuhej se “veprimet publike të ministrave Konjeviç dhe Krivokapiç vazhdimisht kanë devijuar nga qëndrimet zyrtare të Qeverisë”.
Ndërkaq, Parlamenti i Malit të Zi, në orët e vona të 21 tetorit, ka votuar për shkarkimin e dy ministrave të Qeverisë.
41 deputetë pro-serb, nga 81 sosh kanë votuar për shkarkimin e ministrave Krivokapiç dhe Konjeviç.
Sipas vlerësimit të ish-shefit të diplomacisë malazeze, kishte “një seri të tërë lëvizjesh të koordinuara qartë, kështu që ky lloj akti destruktiv antikushtetues nga kryeministri në largim nuk është i papritur”.
Krivokapiç akuzoi Abazoviç-in se ishte “fshehur përmes shkarkimit të kolegut të tij (Sava) Kentera dhe të tjerëve, formalisht kundër agresionit rus, por në thelb mbetet një mjet kyç në zbatimin e agresionit zvarritës ndaj Malit të Zi nga Rusia dhe aleatët e saj në Ballkan”.