Sot fronti opozitar kishte dy lajme dhe një kërcënim. Sali Berisha dhe Ilir Meta zyrtarizuan paktin për zgjedhjet lokale, ku PD do të caktojë kandidatët për kryetar bashkie dhe Partia e Lirisë do të marrë pjesën kryesore të “tortës” së këshilltarëve dhe kryetarin e këshillit në pushtetin vendor.
Gjithashtu, Sali Berisha lajmëroi protestën e parë kombëtare të opozitës, që do të jetë në 12 nëntor. Por sërish, kjo nuk e qetësoi Ilir Metën. Kryetari i Partisë së Lirisë në një konferencë për mediat kërcënoi kryeministrin Edi Rama dhe Lulzim Bashën, që ende e shikon si “marionetë” të pushtetit kundër opozitës.
Shkurt dhe qartë, Ilir Meta tha se Edi Rama dhe Lulzim Basha do të përfundojnë si Benito Musolini dhe e dashura e tij, aktorja Clara Petacci. Por kush ishte fati i tyre? Të dy u pushkatuan. Në fund të prillit 1945, në vazhdën e humbjes së afërt totale, Musolini dhe zonja e tij Clara Petacci u përpoqën të iknin nga vendi, Italia.
Duçja dhe e dashura e tij, që nuk kishte pranuar t’i ndahej, qenë bashkuar me një kolonë gjermane, e fundit që ikte nga Italia. Por të dy u kapën nga partizanët komunistë italianë dhe u ekzekutuan më 28 prill 1945 pranë liqenit të Komos.
Ky, tha Meta, do të jetë fundi edhe i Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. “Kush do të prekë votën do të përfundojë si Musolini dhe Klareta, që është ai i 17 Majit, që u mbyllën atje në 17 Maj bashkë. Nuk e dini ju Klaretën. E dinë të gjithë shqiptarët” tha Meta.