Më në fund, pas një pritjeje të gjatë, opozita caktoi 12 nëntorin si datën e fillimit të protestave masive kundër qeverisë “Rama”. Është në të drejtën e saj të protestojë dhe shkaqe për të protestuar ka mjaftueshëm.
Çdo opozitë, ndoshta kudo në botë, është në të drejtën e saj të protestojë, të zërë sheshet, të demonstrojë forcat, të afishojë liderët, të bëjë të qartë programet, idetë dhe të shpallë rrugën e saj drejt qeverisjes, që domosdo, të paktën në deklarimet politike, duhet të jetë më e mirë se kjo që është sot në pushtet.
Të gjithë ata që shumë vite më parë kanë pritur se me largimin e detyruar nga pushteti, përmes një milion votave kundër tij; dhe me largimin “vullnetar” nga posti i kryetarit të PD-së, më në fund punët e opozitës do të fillonin nga e mbara, me një ekip krejt tjetër nga e djeshmja, me figura të qytetëruara, intelektualë të njohur për dijet e tyre, tashmë jo vetëm që janë të zhgënjyer në pritjen e tyre, por edhe e ndjejnë se gjithçka po mbarset me një tension të ri.
Janë të zhgënjyer, sepse ndryshe nga sa prisnin, Berishës u rikthye në pozitën e tij si drejtues, me të njëtjën mendësi politike, parulla të njëjta dhe e papritura, thuajse me të njëjtët njerëz rreth e rrotull tij. Ekipi i tanishëm i opozitës, me pak përjashtime, ngjan si të thirrur nga stoli i rezervave të pak viteve më parë. Si më parë, në politikë, ai sjell vrerin për pushtetin dhe mallkimin për rrëzimin e tij.
12 nëntori, megjithë dëshirën për të pasur një opozitë ndryshe, në fakt do të kemi të njëjtën si para dhjetë viteve, të njëjtën si në shtatorin e vitit 1998, dhe më e keqja, me të njëjtën mendësi politike. Përjashtimet nga ky rregull, vetëm sesa e vertetojnë atë.
Çfarë do të bëjnë Berisha dhe Metaj më 12 nëntor? Do e përmbysin qeverinë? E vështirë, në mos e pamundur, edhe sikur 12 nëntori të përsëritet në secilën ditë të vitit.
Dallimi mes protestave të mëparshme, qoftë të kohës Berisha, qoftë të periudhës kalimtare Basha, kanë qenë të njëjta: Pas fjalimeve është synuar të ketë dhunë, djegie, përleshje, flakadanë, thyerje. Përjashtim bën vetëm shtatori i vitit 1998, kur përleshasit e opozitës, me ndihmën e armëve, morën godinën qeveritare, disa ministrore, RTSH, thirrën fitore dhe pastaj, në darkë, të armatosurit u strehuan në bodrumin e selisë së opozitës, ndërsa të tjerët shkuan në shtëpi. Berisha e mësoi se pushteti nuk merret me dhunë, edhe kur protestuesit kanë armë, edhe kur shefi i qeverisë ikën, edhe kur ministrat nuk dihet se ku janë.
Edhe më 12 nëntor, sado e madhe të jetë dëshira e protestuesve dhe sado entuziaste të jenë premtimet e shefave të opozitës, qeveria nuk do të bjerë. Edhe nëse do të ketë dhunë, ç’ka ka ndodhur thuajse gjithnjë në atë çfarë ka organizuar opozita, që nga shkurti 1991, 2 prilli në Shkodër, përsëri kjo qeveri do të vazhdojë të jetë dhe askush nuk do të ishte më i gëzuar, nëse opozita kthehet në një turmë dhunuese dhe vandale.
Ndryshimi i 12 nëntorit , nga të gjitha datat e tjera protestuese, është se simboli i protestës do të jenë dy figura të stërlodhura politike, njëri i shpallur “non grata” nga dy shtetet më të fuqishme perëndimore dhe arsyet e dhëna nuk janë përsëritur në asnjë detajim tjetër për një ish-president dhe kryeministër dhe tjetri, si duket ka qenë në kohën e rënies së sistemit komunist, kur të gjitha synonin ikjen nga ky sistem, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
A mund të jenë prijës drejt një bote civilizuese, moderne, perëndimore, dy figura që perëndimi nuk i qas brenda vetes, por as larg vetes nuk i dëshiron? Si mund të sjellin një vlerë të re njerëzit e provuar për 32 vite dhe që lanë pas vetes rrëmujën, borxhet, të cilat i shtoi qeveria e sotme, rrëmujën politike, që përditë bëhet më e madhe, e në fund, me vrasje në jetën e tyre politike?
Dy ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit, jo rastësisht në këtë kohë, deklaroi haptas se Berisha duhet ndjekur, hetuar dhe dënuar për korrupsionin madhor, pasi ata i kanë faktet dhe se asnjë vendim nuk është ndërmarrë për shkaqe përsonale. Tashmë edhe “avokati francez” nuk ekziston më dhe asnjë alibi nuk është ngritur ndaj shpalljes ‘non grata’ nga Britania e Madhe, veç të zakonshmes, se ambasadori është i korroptuar.
A mund të pranohet aq lehtësisht nga perëndimi, që në rrafshhin politik, t’ i besohet lehtësisht njeriut ndaj të cilit nuk ka më besim politik, ose tjetrit, që i humbur në të shkuarën e tij, si një bandit rrugësh, kërcënon me varje shefin e qeverisë, dhe ish-shefin e opozitës, pikërisht tani kur as më pak e as më shumë, miratohet një thellim i ligjit për Autoritetin e Dosjeve, që e bën të pamundur vazhdimin e tij në politikë. Metaj e di se nxjerrja e tij dhe e familjes së tij jashtë politikës nuk është vetëm dënim politik, por edhe fundosje financiare, pasi gjithçka që ka në pasurinë e tij është përfituar nga pushteti i dhunshëm, nga praktikat korruptive të pamata, nga përdorimi i pushtetit si shantazh dhe mjet pasurimi.
Mjafton vetëm vila e tij në Lalëz apo shpenzimet financiare për shkollimin e fëmijve dhe jetesën e tyre në Londër, për të pasur të qartë se asgjë e ndershme, e vlefshme dhe pozitive nuk vjen nga figura të tilla politike.
12 nëntori është e mundur të jetë fillimi i një varg-protestave masive dhe kjo, më mirë se mund t’i bëjë opozitës, do të muund të shkundë vetë qeverinë.
Por, a është gjithçka vetëm ajo që thuhet apo ka edhe tjetër gjë në ditët e ardhshme?
Ky është vetëm fillimi i gjithë asaj që ka planifikuar dhe ka filluar të verë në zbatim, që prej muajve e jo vetëm prej disa ditëve, njeriu i larguar nga pushteti, apo më saktë, i përzënë prej pushtetit, dy herë. I kthyer herën e dytë me ndihmën e aleatit të sotëm, te i cili nuk ka besim, jo vetëm ai vetë, por edhe militantët më të zakonshëm. Ajo që i ka bashkuar sot është e ndryshme me atë kauzë që mund të bashkohen opozitarët. E ndryshme në gjithçka: deri në idetë e vizionin e saj, në qëllimet dhe pas skenat e përgatitura, në hallet dhe në gjetjet e rrugëve për të bërë këtë vend.
Plani i Berishës është më i gjërë se “ciu-ciu” i tij në FB apo në rrjete sociale, është më i thellë se ajo që ka shfaqur deri tani, e po ashtu, është më i rrezikshëm sesa përplasje paralmentare, qoftë edhe për një ish-ministër i qeverisë komuniste, i cili kur u pushkatua dhe iu internua e tërë familja, Sali Berisha specializohej në Francë, me paratë dhe dëshirën e këtij pushteti që ekzekutoi, pa e ditur përse, këtë ministër Mbrojtjeje. Berisha po përgatitet dhe më e keqja, po i josh njerëzit për një përmbysje me dhunë të pushtetit të sotëm; ai nuk duron që edhe një herë të jetë njeriu-hije dhe nuk duron po ashtu që në një kohë kaq të shkurtër, të kthehet nga njeriu i pardesysë së bardhë, në njeriun e territ dhe vdekjes së zezë.
Duke qenë njeri pa pushtet, aq më tepër ‘non grata’, ai e ndjen se shumë shpejt, në ciklin e një harku politik të shkurtër kohor, ai mund të linçohet edhe nga të vetët, nëse nuk përmbys këtë qeveri, e cila tashmë ka aq shumë zullume, e për më tepër, ai, Berisha, mund jetë i gjykuari që përdhunshëm ka shkelur çdo ligj, juridik e njerëzor, mund të gjykohet për korrupsion madhor dhe se një ditë mund të ketë një prokuror të guximshëm, që do të marrë në duar hetimin e gjykimin e tij; ai mund të gjykohet dhe ndëshkohet historikisht për dëmet ndaj kombit, por edhe se në fund të fundit çdo gjë që ishte bërë kishte pasur vetëm një qëllim: nxjerrjen e këtij shteti nga gërmadha politike, ekonomike, shoqërore e financiare. Çfarë ka lënë ai pa shkatërruar, po e vazhdon qeveria e tashme.
12 nëntori është sinjali i parë domethënës që dyshja Berisha-Metaj do i japin perëndimit, se ata janë ende në lojë, se mund të përmbytin situata dhe se llogaritë e së ardhmes duhen bërë edhe me ta. Është shenja se mund të përmbysin gjithçka, për të qenë përsëri në skakierën e politikës, të fuqishëm, të pasur, agresivë dhe banalë./ DITA