Prej tre vitesh në kërkim, policia arriti të kap biznesmenin e peshkut, Gentian Malindi. Në 2019, pas kapjes së ngarkesës me 137 kg kokainë nga DEA amerikane, ai ishte kthyer në një shqetësim për autoritet.
Por çfarë ndodhi me “të bardhën” e biznesmenit?
Dhe në këtë rast në skenë del kompania e bananeve, Alba Exocit Fruit. Kontenieri i frutave ishte i mbushur me kokainën që pritej të merrej në portin e Durrësit nga vetë Malindi. DEA arriti të ndërhynte në kohë dhe e ndryshoi lëndën narkotike me oriz. Pas kësaj babai i biznesmenit, njëherësh dhe avokati i tij, Ilir Malindi, lëshoi akuza të forta në lidhje me shënjestrimin e tij për shkak të përplasjeve politike që ai kishte pasur me kryeministrin e vendit.
Aso kohe u arrestuan dy bashkëpunëtorët e tij Altin Myslihakën dhe me Ardian Begën, të cilët shkuan në port për të tërhequr kokainën.
Si u kap Malindi pas 3 vitesh?
Ai u arrestua në afërsi të Urës së Gjolës në Vorë. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 1050 euro, 11 500 lekë të rinj, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari.