Drejt një makine që po lëviznin tre persona mbrëmjen e djeshme në Berat është qëlluar me armë gjahu (çifte).
Të shtënat kanë ardhur nga një tjetër makinë në drejtimin e së cilës ishte 45-vjeçari Bledar Qolja, i cili është arrestuar.
Gjithçka ka ndodhur pas një sherri. Pas debatit dhe ofendimeve, Qolja mori çiften dhe u zuri pritë natën tre personave duke qëlluar drejt makinës ku po udhëtonin; E. T., 29 vjeç, E. D., 25 vjeç dhe G. L., 25 vjeç.
Nga e shtëna nuk ka persona të lënduar. Autori u arrestua paraditen e sotme.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut (çifte), dy gëzhoja, një shirit me fishek dhe një thikë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.