Në qytetin e Bllagoevgradit në Bullgari më 30 tetor është hapur një klub kulturor maqedonas me emrin “Nikolla Vapcarov”, si kundërpërgjigje ndaj hapjes së klubeve kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, me emra të disa personaliteteve nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, që kontestohen nga pala maqedonase.
Klubi kulturor maqedonas në Bllagoevgrad është hapur nga shoqata “OMO Ilinden Pirin”, e cila tubon pjesëtar të pakicës maqedonase, por nuk njihet nga autoritetet bullgare.
Në një deklaratë për media, përfaqësuesi i klubit, Atanas Maznov tha se hapja është bërë “me qëllim të afrimit të dy popujve”. Ai tha se shpreson se derisa bullgarët do të hyjnë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, edhe minoriteti maqedonas në Bullgari do të fitojë të drejtat e tyre.
“Ky është një klub që do të ndihmojë Bullgarinë të njohë kulturën maqedonase, e bashkë me të edhe popullin maqedonas. Ky klub vërtet mund t’i bashkojë njerëzit dhe të kapërcejë dallimet”, tha Maznov.
Në hapjen e klubit kanë marrë pjesë edhe liderët e partive opozitare maqedonase, Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së dhe Dimitar Apasiev, kryetar i partisë “E Majta” dhe përfaqësues të kabinetit të presidentit, Stevo Pendarovski./REL