Nga e hëna në të gjitha komunat e Kosovës, ka filluar vaksinimi i qytetarëve kundër gripit sezonal.
Ministria e Shëndetësisë, u ka bërë thirrje qytetarëve sidomos personave më të moshuar dhe personave me sëmundje kronike që të vaksinohen për t’u mbrojtur nga gripi sezonal.
Vaksinimi kundër gripit sezonal mund të bëhet çdo ditë pune në njësitë e vaksinimit në kuadër të Qendrave Kryesore të Mjekësisë familjare në çdo komunë.
Nga MSH-ja, ishte thënë se kjo vaksinë jepet për të krijuar imunitet përpara se viruset të përhapen në dimër, kurse të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna duhet ta marrin këtë vaksinë.
“Mjekët rekomandojnë që të gjithë personat e moshës 6 muajsh e lart mund të marrin vaksinën vjetore kundër gripit sezonal. Njerëzit duhet të marrin vaksinën e gripit herët për të krijuar imunitet përpara se virusi të përhapet gjerësisht në fund të vjeshtës dhe dimrit”, thuhej në njoftim.
Gjatë ditës së martë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka alarmuar për variante të reja të COVID-19 që janë duke u shfaqur në vende të ndryshme të botës.
Sipas apelit të IKSHPK-së, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka thënë se këto variante mund të rrisin numrin e rasteve në javët dhe muajt e ardhshëm në rajonin e Evropës.