Prokuroria dhe mjekësia ligjore ende nuk e kanë dhënë përgjigjen përfundimtare lidhur me shkaqet e vdekjes së Lear Kurtit.
32-vjeçari e dha frymën e fundit në duart e policisë 12 ditë më parë në Tiranë, pasi u shoqërua.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e drejtuar nga Ardi Veliu deklaroi se i riu vdiq në spital.
Por mjekët dhe infermierët që ishin në turnin e tretë atë natë e rrëzuan këtë deklaratë.
Para prokurorit mjekët dhe infermierët e spitalit të Traumës deklaruan se “Lear Kurti erdhi pa shenja jete në spital”.
Nga ekspertiza paraprake rezultoi se nga autopsia brenda stomakut të të riut u gjet një qese me një dozë kokaine.
Por zyrtarisht shkaku i vdekjes nuk është përcaktuar. Tre efektivët që e shoqëruan janë të pezulluar nga detyra.