Qeveria e re italiane, me Giorgia Melonin në krye, ka thënë se do t’i bëjë të paligjshme festimet e mëdha, disa orë pas ndalimit të një organizimi të tillë në veri të Italisë.
Krimi i ri i “tubimeve të rrezikshme” prej më shumë se 50 personave, mund të ndëshkohet me deri në gjashtë vjet burgim dhe hap rrugën për përgjim të organizatorëve.
Të hënën, më shumë se 1.000 personave u është thënë që të largohen nga një festë e madhe në Modena.
“Festës i ka ardhur fundi!” ka deklaruar ministri i të djathtës ekstreme, Matteo Salvini.
Banorët janë ankuar për 48 orë të muzikës me zë të lartë në një festë për Natën e Shtrigave (Halloween), e cila ka tërhequr shumë të rinj nga qytetet italiane, por edhe nga Belgjika dhe Franca.
Pjesëmarrësit kanë planifikuar që të festojnë deri të martën, mirëpo pas urdhrit të autoriteteve ata janë larguar.
Kryeministrja Meloni ka argumentuar se ligji i ri synon të mbrojë njerëzit nga dëmet eventuale dhe nuk përbën ndryshim nga pjesa tjetër e Evropës.
Sipas saj, një vendim i tillë tregon se shteti i Italisë nuk është më i dobët në respektim të rregullave./REL