Mbrëmjen e djeshme Enkelejd Alibeaj që drejton grupin e PD-së (jo të gjithë deputetët i ka në krah) deklaroi se negociatat me Sali Berishën për të nxjerrë një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 Majit dështuan.
Dhe si pasojë, në të njëjtën deklaratë theksoi se do i kërkohet Kryesisë që të procedohet me zgjedhjen e kandidatëve për bashkitë.
Pra, grupi i Alibeajt bëhet gati për të hyrë në zgjedhje në vete. Si në rastin e 6 Marsit, të zgjedhjeve të pjesshme për bashkitë. Gjithashtu sot pasdite do të ketë një tjetër takim.
“Nesër, datë 2 Nëntor, ora 18:00; në selinë e Partisë Demokratike Dega 7 (përballë Mondialit), do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike.
Me rend dite: Diskutime dhe vendimmarrje mbi qëndrimin e mëposhtëm të Grupit Parlamentar të PD” thuhet në njoftim.
Por a do të thotë kjo se gjithçka është mbyllur?
Deputeti Lefter Gështenja, pjesë e grupit zyrtar të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj la një shteg hapur.
I kontaktuar nga “5pyetjet.al” mbi dështimin e negociatave, ai tha se nuk është vonë për të gjetur zgjidhje për të dalë me një kandidat të përbashkët.
“Në deklaratë nuk thuhet që i jep fund, por i hap rrugë Kryesisë që të futet në proces elektoral. Unë nuk jam që PD të bëjë gabimin që bëri në 2019.
Gjithashtu ne duhet të futemi me një kandidat. Edhe përpjekjet e mia në disa takime, qëllimi ka qenë dalja me një kandidat.
Çdo alternativë tjetër na çon në humbje. Fiton Rama. Ne kemi kaq kohë, hodhëm dhe një platformë për të gjetur pikat e përbashkëta.
Të ngremë një shtab për të gjetur pikat e përbashkëta për të gjetur një kandidat të përbashkët, jo vetëm si PD, por të gjithë si opozitë.
Për mendimin tim personal asnjëherë nuk është vonë për të gjetur një pikë të përbashkët për të dalë me një kandidatë të vetëm” tha ai për “5pyetjet.al”.
Skenari? “5pyetjet.al” zbulon orën e protestës dhe porositë e Berishës