Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, shprehu pakënaqësi që Bashkimi Evropian, siç tha ajo, toleron veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe nuk e detyron atë që të zbatojë marrëveshjet e Brukselit, që janë arritur vite më parë.
Pas samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt më 3 nëntor, Bërnabiq u tha gazetarëve se ka pasur një bisedë të ndarë me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Me dy zyrtarët e BE-së, Bërnabiq tha se ka biseduar për çështjen e riregjistrimit të makinave në Kosovë që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
“Kurti ka shkelur të gjitha marrëveshjet e arritura sa i përket targave, ato të vitit 2011 dhe 2016, por edhe atë të shtatorit të vitit 2021, dhe njëanshëm ka hequr nga përdorimi targat me status neutral [KS]. Ata thonë se pajtohen që targat KS duhet të ekzistojnë, por shtojnë se nuk mund të bëjnë asgjë për këtë temë, dhe kjo për mua është shkatërruese”, tha Bërnabiq.
Bërnabiq tha se gjatë një dreke pune, “kërkova nga përfaqësuesit e BE-së që të kuptojnë” se besueshmëria e bllokut evropian po vihet në pikëpyetje, për shkak se BE-ja, sipas saj, nuk po mund të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit të arritura që nga viti 2013./REL