Pas sulmit që ju bë të moshuarës në Pejë, ka pasur reagime të shumta. Të dyshuarat në këtë rast janë në ndalim për 48 orë, ndërsa Prokuroria Themelore do të bëjë kërkesë për paraburgimin e të dyshuarve.
Prokurori i rastit, Dorjan Juniku, tha se deri tani janë arrestuar tre persona, të cilët kanë të bëjnë me rastin e Shtëpisë së të Moshuarve në Pejë.
“Janë arrestuar tre persona, në afatin kohor do të parashtrojmë kërkesën për masën e paraburgimit. Jemi në vazhdën e hetimit, pra jemi duke grumbulluar informacione dhe prova, ne do t’i marrim të gjitha veprimet e nevojshme”, tha ai.
Juniku tha se janë tre persona të ndaluar, ndërsa personi i katërt e ka vlerësimin e dëshmitares dhe ajo është tani e lirë.
Ai bëri me dije se ka indikacione se edhe më parë ka pasur raste të tilla në atë shtëpi. “Kemi disa informata për këtë, por mbetet të vërtetohen ato”, tha ai. Prokurori i rastit Dorjan Juniku ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës të njoftojnë për raste të tilla të keqtrajtimeve.