Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia “nuk është në konflikt me askënd”, por nuk mund të lejojë që dikush të spiunojë ushtrinë e saj.
Duke komentuar rrëzimin e një droni pranë ndërtesave ushtarake afër Rashkës në jug të Serbisë, Vuçiç tha se kjo nuk është hera e parë që fluturake pa pilot janë hasur mbi ndërtesa ushtarake të forcave të armatosura serbe dhe se kjo përbën “një lloj agresioni”.
“I kemi detektuar ditë më parë dhe ne i paralajmëruam ata. Ky lloj vëzhgimi dhe puna e paligjshme e inteligjencës përbën një lloj agresioni kundër një shteti sovran”, tha Vuçiç për gazetarët gjatë vizitës në një qendrën stërvitore ushtarake ku po zhvillohen stërvitjet “Manovrat 2022”.
Vuçiç tha se “po punohet” për të përcaktuar se kush e ka operuar dronin komercial që ushtria serbe tha se e rrëzoi më 2 nëntor afër garnizonit të ushtrisë serbe në Rashkë.
“Ata përdorën dron komercial duke menduar se nuk mund të zbulohet se kush është pronari i tij dhe kush qëndron pas këtyre veprimeve të paligjshme”, tha Vuçiç./REL