Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i të shumëkërkuarit Ilir Paja, mbrëmjen e djeshme në zonën e Laprakës në Tiranë. Prej disa muajsh policia i ishte vendosur pas në ndjekje hap pas hapi për ta kapur.
Blutë kishin informacione se Paja fshihej në Laprakë në një apartament të disa miqve të tij. Policia e kishte vendosur nën përgjim përmes numrit që përdorte duke e gjurmuar hap pas hapi. Në momentin e arrestimit kishte me vete 5 mijë euro.
Ilir Paja, i njohur ndryshe edhe me nofkën “Ufo” kërkohej prej 5 vitesh nga Italia, që e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje të punonjësve të policisë, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi.
Ai kishte mundur të arratisej nga Burgu i Peruxhias, duke përdorur si litarë disa çarçafë të lidhur së bashku, teksa vuante dënimin për dy vrasjet. Nga ky fakt mori edhe nofkën “UFO”.
Paja gjithashtu ka qenë i dënuar me 16 vite burg për plagosjen e rëndë të një efektivi të njësisë operacionale të policisë me 6 mars të vitit 2008 në Tiranë, por kishte mundur ishte liruar me vendim të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.