Zbardhen detaje të reja nga tragjedia shqiptare në Itali ku humbën jetën katër persona, mes tyre tre fëmijë. Shoferi i makinës Orjol Lame shpëtoi me plagë të rënda. Ai do të akuzohet për vrasje në rrugë sepse testet toksikologjike treguan që në momentin e aksidentit, shqiptari ishte i dehur dhe i droguar.
Por jo vetëm kaq. Lame është arrestuar dy herë gjatë dy viteve të fundit. Herën e parë, asokohe 28 vjeç, ai përfundoi në pranga për shpërndarje droge. Në Prill të vitit 2020, karabinierët në Sant’Ilario e kapën me kokainë, heroinë dhe morfinë. Lame u arrestua në flagrancë teksa shkëmbente drogën me një klient.
Në celularin e tij, shqiptari kishte telefonata nga klientë të ndryshëm që kërkonin lëndë narkotike. Herën e dytë, në Shkurt të 2021, ai u arrestua në Campoformido.
Karabinierët e arrestuan ndërkohë që gjendej në makinë bashkë me një 51-vjeçar nga Parma, i skeduar nga autoritetet. Ndaj Orjol Lames kishte një urdhër dëbimi, lëshuar në vitin 2020 nga autoritetet në Reggio Emilia. Sipas këtij vendimi, shqiptari nuk duhej të kthehej në Itali para vitit 2025.
Por edhe në këtë rast i riu shqiptar ishte lënë i lirë në pritje të dëbimit të tij nga territori italian. Sipas hetimeve, Lame nuk do të mund të merrte kurrë një patentë italiane. Mbrëmjen e 30 Tetorit, ai po i jepte një makine e cila ishte e pasiguruar dhe në emër të një personi që kishte ndërruar jetë.
Si pasojë e aksidentit tragjik, Lame ndodhet në reanimacion në gjendje të rëndë shëndetësore. Makina që ai drejtonte u përplas me një shtëpi të pabanuar. Gruaja e tij, djali, kunata dhe kunati, 8 e 11 vjeç, ndërruan jetë si pasojë e plagëve.