Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian, e ka pranuar për herë të parë se shteti i tij i ka dhuruar dronë Rusisë, mirëpo ka insistuar që ky transferim është bërë para se të niste lufta e Rusisë në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.
Me këta dronë iranianë, Rusia ka sulmuar tash e disa javë qytetet ukrainase.
Komentet e ministrit iranian kanë ardhur pas disa muajve të mesazheve konfuze të Iranit lidhur me furnizimin e Rusisë me armë.
“Ne i kemi dhënë Rusisë numër të kufizuar të dronëve, para se të niste lufta në Ukrainë”, u ka thënë Amirabdollahian gazetarëve, pas një takimi në Teheran.
Ditë më parë, zyrtarët iranianë kanë hedhur poshtë armatosjen e Rusisë për luftën në Ukrainë.
Më herët gjatë kësaj jave, ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani, i ka konsideruar dyshimet për armët si “totalisht të pabaza” dhe ka riktheksuar pozicionin e Iranit për neutralitet në luftë./REL