“Mbreti i Kokainës”, siç njihet bosi shqiptar i drogës Dritan Rexhepi, vepron nga një burg në Ekuador. Një raport i fundit i publikuar nga media britanike ‘The Economist’, siguron se Rexhepi është modeli i suksesshëm i emisarit kriminal ballkanik të kokainës në Amerikën Latine.
Kjo, pasi ai është udhëheqës i një strukture të sofistikuar për trafikun e drogës nga Amerika e Jugut në Evropë. Madje u ka dhënë ryshfet autoriteteve, që nga viti 2014 kur u arrestua.
Rexhepi po vuan dënimin me 13 vite burg për trafik droge. Ai u dënua më 10 prill 2015, megjithëse autoritetet e arrestuan në vitin 2014 në një operacion të quajtur Balcanes.
Rexhepi u arrestua në Quito, në atë operacion që rezultoi në sekuestrimin e 278 kilogramëve kokainë.
Shqiptari hyri në Ekuador me dy identitete të rreme dhe ndryshoi imazhin e tij, ndaj autoriteteve të vendit iu desh të zgjidhnin identifikimin me gjurmë gishtash dhe zbuluan se ishte Rexhepi, i cili tashmë ishte në kërkim nga Europol.
Aktualisht ndaj Rexhepit ka dy kërkesa për ekstradim, njëra nga Shqipëria dhe tjetra nga Italia. Por njëra prej tyre do të hyjë në fuqi me përfundimin e dënimit në Ekuador.
Shqiptari është në kërkim edhe në Belgjikë dhe së fundmi është akuzuar se ka urdhëruar dhe organizuar, nga qelia, rrëmbimin e një 49-vjeçari në Shqipërinë qendrore në shkurt të vitit 2020. Viktima nuk u gjet kurrë dhe supozohet se ka vdekur.
Autoritetet italiane akuzojnë gjithashtu Rexhepin se ka urdhëruar të paktën dy vrasje të tjera gjatë qëndrimit në burg, në Ekuador dhe Shqipëri.
Ai ka mohuar përfshirjen e tij në këto krime. Kapo shqiptar ishte i burgosur në një burg në Guayaquil. Por që nga viti 2017 ai ndodhet në burgun Latacunga.
Aty, ku ndodhi një nga masakrat më të fundit që përfundoi me vrasjen e 16 personave. Përfshirë Leandro “el boss” Norero, një tjetër trafikant droge.