Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, njëherësh deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu ka thënë se gjendja në veri të vendit është e qetë, por me mundësi të përshkallëzimit të situatës.
“Sot e kishim në raportim rreth gjendjes së krijuar në veriun e Kosovës, drejtorin e Agjencisë për Inteligjencë të Kosovës (AKI) Petrit Ajeti, me të cilin diskutuam gjerë e gjatë dhe u informuam për gjendjen në veri. Sa i përket gjendjes së sigurisë mund të konstatojmë se gjendja e sigurisë është e qetë, por gjithmonë me mundësi të përshkallëzimit. Prandaj, institucionet e sigurisë së vendit janë në krye të detyrës dhe janë të gatshëm për çdo provokim të mundshëm në bazë të rrethanave të krijuara”, ka thënë Musliu.
Ajo që vlen të theksohet siç u shpreh Musliu është gatishmëria e qytetarëve në veri të vendit për të bashkëpunuar me organet e sigurisë së vendit.
“Sot më shumë se kurrë duhet bashkërendim të institucioneve të vendit. Bashkëpunim më theksuar dhe më i madh i qytetarëve të Kosovës me institucione të sigurisë me theks të veçantë qytetarëve të veriut të Kosovës, për çka vlen për ta përshëndetur gatishmërinë e qytetarëve të veriut të Kosovës për të bashkëpunuar me organet e sigurisë dhe vendit në Kosovë”, theksoi Musliu duke apeluar qytetarët që mos të bien pre e dezinformatave të mediave serbe.
“Po ashtu apel për mediet për qytetarët që t’i shmangeni sa më shumë dezinformatave të cilat dalin nga mediet armiqësore, apo mediat e informimit serbe sepse na rastisë të biem pre e lajmeve të rrejshme”.