Qeveria ka çuar në Kuvend marrëveshjen për portin e Durrësit për ta kaluar me procedurë të përshpejtuar. Me 62 vota pro dhe 20 kundër, kërkesa për ta futur me urgjencë u miratua.
Kjo ka shkaktuar debat të fortë në seancën plenare. Opozita e ka kundërshtuar. Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj kërkoi kohë dhe që marrëveshja dhe ligji të kalojë me procedurë normale. Ai kishte një thirrje edhe për drejtësinë dhe Presidentin.
“Ta fusësh sot në procedurë dhe pas dy javësh ta miratosh…! Ta them unë përse ju shtyn, arsyen për të ecur shpejt. Dhe ta marrin vesh shqiptarët. Projektligji ka vetëm 5 nene. Ai kushton më shumë se 30 vite që miratuar parlamenti, 2.1 miliardë Euro.
Kjo është kostoja e këtij projektligji. Ju doni ta kaloni me procedurë të përshpejtuar, kur sot diskutohet buxheti. Doni ta kaloni fshehurazi. Ju sot po prisni shiritin e një afere. Kërkoj që ky ligj të mos miratohet me këtë shpejtësi, por të vazhdojë me procedurë normale. Qeveria të sjellë të gjitha dokumentet.
Ti lexojmë dhe kuptojmë, se bën vaki edhe biem dakord. Por aty fshihet djalli te detajet, prandaj sillni dokumentet. I bëj thirrje presidentit, që pas dy javësh do ia çosh. Po përballet me një procedurë parlamentare të korruptuar. U bëj thirrje organeve të drejtësisë. Për të hequr cdo hije dyshimi mbi atë që po gatuhet” tha Alibeaj.
Por kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla i kërkoi që të ndahet nga Sali Berisha. “Ky është momenti kur ju nuk duhet t’i shkoni nga mbrapa këngës së Saliut. Ai e ka mendjen në vend tjetër, është në borderotë e Kremlinit dhe Kremlini nuk ka interes që në Shqipëri të zhvillohet një port, ku ka interesa të tjera” tha Balla.