-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shtyllat e buxhetit 2023, Rama: Porti i Durrësit, energjia, biznesi dhe kriza

Kryesoret

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare për buxhetin e vitit 2023

Po mirë ne, mor zotëri (i drejtohet Enkelejd Alibeajt), dakord ne, por me çfarë kurajë, ti çohesh këtu dhe hedh gjithë këtë baltë mbi një personalitet të ekonomisë globale, përfaqësues i një prej kompanive më të mëdha të botës që vjen në Shqipëri si rezultat i një marrëdhënie strategjike prej të cilës po ndërtohen atje në zonën e Spitallës 2000 apartamente dhe falë të cilës këtu në vendin tonë bëhet një investim që nuk është bërë ndonjëherë dhe nuk është imagjinuar ndonjëherë që e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe dhe ndërkohë që këtu, as u miratua gjë, as u diskutua gjë, këtu  thjeshtë u fut me procedurë të përshpejtuar një projektligj, i cili do të mbajë kohën për diskutim. Duhet të jetë sepse kështu mendojmë ne, që duhet të jetë, se ne nuk kemi kohë për të humbur se kemi më shumë se një vit që e negociojmë këtë kontratë, dhe është një kontratë ku shteti shqiptar merr pjesë me aksione, por ju jeni disa të mbaruar, ca të pafytyrë, ju jeni ca njerëz që nuk keni as fe, as atdhe, as din, as iman sepse çoheni këtu që në pikë të sabahut dhe mirë ne, ta thashë, mirë ne, por merrni nëpër gojë dhe akuzoni për pazar dhe akuzoni për aferë një personalitet dhe një kompani nga më të mëdhatë e botës në vend të thoni shyqyr që vjen në Shqipëri. Ju jeni ca të pafytyrë, ju jeni ca të pafe, ju jeni të pa atdhe, ju jeni ca pa din, dhe jeni ca pa iman, këta jeni ju. Sepse ju po të kishit ju fytyrë dhe po të kishit ju din, dhe po të kishit ju iman, dhe po të kishit ju fe, dhe po të kishit ju atdhe, ju nuk i bënit Shqipërisë ato që i keni bërë, dakord? Ju nuk i bënit Shqipërisë ato që i keni bërë! Çfarë i keni bërë ju Shqipërisë? Ju jeni paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj. Këtë i keni bërë ju Shqipërisë.

Për çfarë arsye dhe këtu po filloj diskutimin tim tani, dhe hajde ma thoni, jo ju se ju s’keni çfarë thoni, ju jeni ca bedelë, ju jeni ca njerëz që nuk keni as sy për të parë as vesh për të dëgjuar. Ju jeni bedelë të atyre që ju kanë tërhequr prej hunde, se juve mire që s’keni ditur gjë se çfarë keni bërë, por dhe sot e gjithë ditën juve nuk dini se çfarë flisni.

Hajde më thoni ju mua këtu, për çfarë arsye në botë paratë ruse duheshin derdhur në Shqipëri për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj? Më thoni arsyen, për çfarë ruset duhet të paguanin partinë tuaj për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj? Për ta bërë Shqipërinë më demokratike? Për ta bërë Shqipërinë më të drejtë? Për ta bërë Shqipërinë më transparente? Për ta bërë Shqipërinë më të denjë? Apo do më thoni që nuk i keni marrë ato para? Se deri dje mund ta thoshit që nuk i keni marrë ato para, se mund të hidhnit tezën që hodhët që ishte një komplot i Sorosit me Edvinin? Po tani kur është raporti i CIA-s që e shkruan të zezë mbi të bardhë që PD është financuar me para ruse. Jeni financuar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj dhe ju nuk keni gojë të dilni këtu e të flisni, jo çdo bëhet në vendin tonë, e jo kush do investojë në vendin tonë, e jo po çfarë.

Ju jeni kaq të pafe dhe jeni kaq pa din, dhe jeni kaq pa iman, dhe jeni kaq pa atdhe, dhe jeni kaq të pafytyre saqë 2 miliardë investim që i bën ai që vjen, juve thoni kujt do ja jepni këto 2 miliardët, por ju nuk keni faj se jeni mësuar të merrni para cash, t’i merrni dhe nga armiqtë e këtij vendi për të rrëzuar qeverinë e këtij vendi dhe të zbardhi ato dhëmbet tuaj, të cilët janë e qeshura e madhe e marrëzisë. Ka shumë rëndësi, ka shumë rëndësi kjo sepse sot ne diskutojmë buxhetin e 2023 dhe buxheti i vitit 2023 diskutohet në kushtet e një tjetër krize, e treta radhazi, e cila është shumë e lidhur me ato para që keni marrë ju se kjo është dhe arsyeja pse ju i thoni shqiptarëve, ekzakësisht, ca nga budallallëku, ca se jeni bedelë që nuk kuptoni fare se pse jeni këtu, as çfarë bëni këtu dhe as pse doni të jeni këtu, por më e keqja akoma sepse ju tërheqin prej hunde ca të tjerë që e dinë shumë mirë se çfarë bëjnë dhe të cilët i thonë shqiptarëve ekzaktësisht ato që Vladimir Putini thotë përditë: Ç’lidhje ka inflacioni me mua? Ç’lidhje ka kriza e energjisë me mua? Pse në Europë shajnë, mallkojnë dhe akuzojnë Rusinë për gjëra që Rusia nuk i ka bërë? Çfarë lufte? S’ka luftë. Ne thjeshtë po bëjmë një operacion special policor kundër ca nazisteve në Ukrainë. Dhe e njëjta gjë është ajo që thoni ju. Të njëjtën gjë thoni ju. Ju jeni bedelë, ju nuk keni idenë se çfarë thoni, por unë flas për ata që i morën paratë ruse, ngritën çadrën, vathën, ku ju si dele shkonit përditë atje dhe blegërinit për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj dhe pastaj iu turrën dhe nëpër ato marrëzitë e djegies së qendrave të votimit dhe të bojkoteve të zgjedhjeve sepse ju jeni të shitur.

Disa prej jush janë të shitur dhe kanë marrë paratë, disa të tjerë prej jush janë të shitur se janë gjela deti si ai atje. Njerëz që nuk kuptojnë fare se pse janë këtu, se çfarë duan këtu. Një turp i madh shumë për këtë vend dhe për këtë parlament jeni të gjithë ju. Dakord?

Buxheti është i gjithi i lidhur këtu, është i gjithi i lidhur me luftën që ju e mohoni, me luftën që për ju nuk ekziston se ju normal jeni në mision, një pjesë e madhe e juaja jeni bedelë, që nuk kuptoni fare se çfarë bëni dhe për inerci vazhdoni i bini vendit tuaj sa ju ha dora dhe sa ju mban ajo gojë që e keni komplet të shkëputur nga truri.

Ndërkohë që ne jemi këtu pikërisht për të përballuar atë goditje që është dhe arsyeja e asaj lufte. Vladimir Putini nuk e ka filluar këtë luftë dhe nuk po e bën këtë luftë për të marrë ca copa nga Ukraina. Po e bën këtë luftë për të gjunjëzuar perëndimin, për të gjunjëzuar të gjithë botën në perëndim të Rusisë, për të gjunjëzuar bashkësinë euroatlantike, për të ndryshuar ekuilibrat e kësaj bote, ku juve i bëni hije kot kësaj toke dhe ku ju do dilni siç hytë, kastravecë, siç thotë edhe ajo poema e famshme që është dhe këngë popullore; siç hyni, ashtu doli, kastravec. Kështu do dilni ju nga kjo histori.

Po problem ynë këtu nuk jeni ju, ju jeni bedelë. Ju dukeni që kur merrni fjalën këtu e flisni që në pikë të sabahut edhe sulmoni si llazore të marra, të mbetura rrugëve nëpër lagje që kanë humbur shtëpitë pasi kanë pirë gjithë natë. Investitorët që mezi i sjellim në Shqipëri, mezi. Megjithatë ajo që ka rëndësi është që shqiptarët ta kuptojnë dhe që shqiptarët e kuptojnë mirë për fat të mirë, është që ne nuk jetojmë në Hënë. Ne jemi pjesë e asaj pjese të botës së cilës i ka hapur luftë Putini, Kremlini, Rusia dhe i ka hapur luftë, jo duke hedhur bomba këtu, por duke goditur përmes energjisë së kthyer ne armë dhe përmes inflacionit të luftës që dihet, është një armë më vete dhe ajo fatura e energjisë që shkon poshtë derës, në çdo derë ku ndizen dritat dhe ajo dora e inflacionit që kap çdo dorë që shtrihet për të blerë diçka, janë pikërisht pjellat e kësaj lufte. Dhe ne jemi këtu sot për të konfirmuar një vazhdimësi shumë të rëndësishme të një përpjekjeje, e cila deri më sot ka bërë që asnjë familje shqiptare, përfshirë dhe familjet tuaja të mos paguajë asnjë qindarkë me shumë energjinë elektrike saç e paguante përpara se të fillonte ajo kriza për të cilët ju dolët dhe zbardhët dhëmbët tuaj.

Ju kujtohet që dolët dhe zbardhët dhëmbët tuaj dhe folët përçart dhe thatë, s’ka krizë, kjo është një fantazi, kjo është një përpjekje për të spostuar vëmendjen kur unë thashë që jemi në fillimet e një krize energjetike ne Europë dhe në botë. Kriza energjetike ishte praktikisht prelud i luftës. Pastaj erdhi lufta dhe çmimet e energjisë shkuan në stratosferë, ndërkohë që në Shqipëri çdo familje dhe çdo biznes i vogël paguan ekzaktësisht të njëjtin çmim si përpara krizës dhe përpara luftës dhe kjo nuk vjen nga ndonjë arsye tjetër, por nga fakti që kjo qeveri, ndryshe komplet nga çfarë keni ju kohë që bëni gërr gërr, si bedela këtu, është një qeveri, e cila i del për zot njerëzve, i del për zot familjeve, i del për zot biznesit të vogël, i del për zot duke mbrojtur më një mburojë financiare që këtë vit deri në 31 dhjetor, mund të shkojë në shifrën 460 milionë euro. 460 milionë euro nga buxheti që ato fatura të energjisë të vazhdojnë të shkojnë nën dyert e të gjitha familjeve shqiptare dhe familjet shqiptare të mos ndjejnë asgjë nga goditja e mirë menduar e diktatorit atje në Kremlin, siç po i ndjejnë në shumë vende, siç po i ndjejnë shqiptarët që jetojnë jashtë në Itali, ne Gjermani, në Greqi etj. Jo se ne jemi më të zotë, jo se ne jemi më të fortë, por se në këtë pikë ne kemi marrë këtë vendim. Dhe ky është një vendim që është i sanksionuar edhe në buxhetin e vitit 2023. Që ne do ta mbrojmë me çdo çmim, çmimin e energjisë elektrike, për familjet dhe për bizneset.

Dhe juve që bëni shërbimin tuaj ndaj së keqes, bëni shërbimin tuaj ndaj pafytyrësisë, bëni shërbimin tuaj ndaj mungesës së çdo feje dhe të çdo atdheu,  dhe që patjetër do të vazhdoni t’u thoni shqiptarëve të gjitha të zezat sepse në këtë lloj rruge keni hyrë që kur keni qenë të vegjël dhe ju kanë rrahur që kur keni qenë këlyshë dhe prandaj s’kuptoni më tani që jeni rritur se s’jeni asgjë tjetër përveçse një zgjatim , një zgjatim një bisht i asaj krijesës ‘’non grata’’ që edhe pse s’e keni më në krye, e keni në kokë brenda. Do vazhdoni t’ju tregoni se si të tjerët bëjnë këtë e bëjnë atë dhe unë po vazhdoj t’ju them se  në këtë buxhet, ta dëgjojnë shqiptarët se ju s’keni ça të dëgjoni, në këtë buxhet që ne sjellim këtu, janë 50 miliardë , pra janë thuajse gjysmë miliardi dollarë, që shkojnë vetëm për të mbrojtur njerëzit. Për të mbrojtur njerëzit nga goditjet e kësaj lufte, për të mbrojtur njerëzit nga goditja e çmimit të energjisë, për të mbrojtur bizneset e vogla nga goditja në faturën e energjisë dhe për të mbrojtur të gjithë nga goditja marramendëse e inflacionit. Dhe nuk është rastësi që Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon, pikërisht sepse ka çmimin e energjisë të mbrojtur edhe për familjet, por edhe për bizneset. Sepse nëse do të rrisnim çmimin për bizneset e vogla, aty ku ndodhen të gjitha transaksionet, dhe shitblerjet e familjeve, detyrimisht do t’ia përcillnim një pjesë të goditjes edhe vetë familjeve.

Kështu që, në çdo faturë, edhe në ato faturat tuaja, në shtëpitë tuaja duhet që sa herë që t’i merrni, të falënderoni qeverinë. Ju, jo njerëzit. Ju, ju. Të falënderoni qeverinë që ju mbron, që mbron familjet tuaja mbron prindërit tuaj të shkrete që kanë bërë çmos t’ju rrisin, po ju keni dalë duarsh edhe jeni turpi i tyre çdo ditë që hapni gojën këtu sepse në atë faturë, deri ne 80% e paguan buxheti i shtetit. Deri ne 80% të çmimit dhe ne do vazhdojmë ta përforcojmë. Për këtë është qeveria, zonjë, që buxhetin e shtetit ta vërë në dispozicion të vendit dhe të njerëzve, siç bëjmë ne, pavarësisht se ju nuk lini dy gurë bashkë për t’ju thënë njerëzve se ne bëjmë të kundërtën e asaj që bëjmë në të vërtete. Sepse jeni bedelë. Jeni bedelë të një partie të shitur për rubla. Është fakt ky. Kur të çoheni e të më thoni si është puna e rublave dhe ta sqaroni mirë si i keni marrë ato rubla, ju s’dini gjë xhanëm se ju keni shkuar si bedela nga mbrapa, por fatkeqësia e bedelit është pavarësisht se s’di gjë fajin, përsëri nuk e shlyen dot duke bërë bedelin, prandaj.

Historia e rublave është më e thellë se kaq, natyrisht. Më e thellë se çadra. Më e thellë sesa ato shkrepëset që i vutë qendrave të votimit, të gjitha për t’i shërbyer një misioni të marrë jo nga ju, se juve s’ju jep askush asnjë mision se juve ja u kanë dhënë misionin që kur ishit të vegjël këtu te Shqupi. Ju kanë futur një dru që s’e merrni më veten. E duket që kur flisni sot që s’dilni dot nga ajo psikoza e bishtit, por atyre të cilët i morën ato para. Se këtu lind një pyetje tjetër, pse i morën ato para pikërisht ata, pse ua dhanë atyre? Për ç’arsye ua dhanë atyre?! Çfarë kishin bërë ata për të merituar besimin që gjysmë milioni dollarë t’i jepeshin për të rrëzuar qeverinë e vendit. Çfarë kishin bërë?! E një nga provat që ne dimë që kishin lënë, është bashkimi i votave me partinë e Putinit në Këshillin e Europës. Pse i bashkuan votat me partinë e Putinit në Këshillin e Europës për të ngritur akuzën më monstruoze ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?! Kjo është një pyetje legjitime, pse? Nuk ishte e pamundur që të mos bashkoheshin votat. Ne nuk i bashkuam, për shembull. Edhe Shpëtim Idrizi  që në atë kohë kishte bërë partinë e tij nuk i bashkoi votat. Pse i bashkuat ju votat me rusët për të ngritur akuzën më monstruoze ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?! E natyrisht mbasi bashkuat votat atje, ju erdhën paratë këtej. Po ato që dimë, ose ato që dihen. Po ka të tjera që do të dihen dhe nuk dihen akoma sepse kjo është diçka që vazhdon dhe jo vetëm te partia me vulën e humbur, por edhe te ajo PL-ja partia e lekut vazhdon kjo histori edhe te partia e lekut, te PL-ja.

Sot mund t’iu them disa gjëra shumë domethënëse shqiptarëve për buxhetin që lidhen me borxhin pavarësisht situatës dhe pavarësisht gjithë vështirësive, praktikisht buxheti e ul borxhin, i cili nuk është në ato shifrat që përrallisni ju, por i cili është 68.8 sot, dhe parashikohet të shkojë në 67.5.

Ajo që është më e rëndësishmja për tu thënë sot është se nga 2014 në 2021-shin, rritja ekonomike ka qenë 3 here më e lartë sesa huamarrja sepse e rëndësishme në fund të ditës nuk është sesa borxh merr, por sa nxjerr nga ajo huamarrje për të përballuar borxhin dhe për të shkuar përtej borxhit. E faktikisht nëse ne e lemë mënjanë ngadalësimin e ekonomisë në vitin 2020, rritja është mesatarisht 3.7 herë e zgjerimit të ekonomisë në raport me borxhin.

Lajmi tjetër i këtij buxheti është që ky buxhet është dyfishi i atij të 2013-tës dhe faktikisht në këtë buxhet unë do të fokusohem vetëm te mbrojtja e familjeve, biznesit të vogël dhe pastaj gjithë kolegët e mi, ministra dhe ministre do të bëjnë zbërthimin sektor për sektor. Mbështetja buxhetore për mbrojtjen nga goditja e çmimit të energjisë se aty është thembra e Akilit që ne duhet të vazhdojmë të mbrojmë për të mos e lënë vendin të bjerë pre e goditjes së Putinit që synon, jo vendin tonë, ne jemi thjesht pjesë e një komuniteti të tërë vendesh të rreshtuara shumica e tyre në bashkësinë Euroatlantike që janë dhe objektivi strategjik i kësaj lufte dhe mbrojtja e familjeve nga çmimi i energjisë është thelbi i gjithë rrjetit mbrojtës së luftës ashtu sikundër është dhe mbrojtja e biznesit të vogël. Për këtë në buxhet ka 12 miliardë plus edhe suporti buxhetor i marrë nga Bashkimi Europian, i cili kam kënaqësinë të them ka një qasje komplet tjetër ndaj nesh dhe ndaj rajonit edhe falë politikës së kësaj qeverie, që të jemi shumë të qartë.

Po ashtu, do të rrisim edhe njëherë tjetër nivelin e pagës minimale që e kemi rritur dy herë këtë vit, do ta çojmë në 36 mijë lekë të reja me synimin që ta rrisim edhe njëherë në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, do ta çojmë në 38 mijë lekë të reja. Nga kjo rritje imediate janë 21 milion dollarë që do të përfitohen drejtpërdrejt nga ata që paguhen me pagën minimale dhe për 100 mijë familje janë 3500 lekë të reja ose 35 mijë lekë të vjetra që shtohen çdo muaj falë rritjes dy herë gjatë këtij viti dhe falë dhe rritjes tjetër të menjëhershme të vitit që vjen.

3.3 miliard të tjera është efekti i rritjes së pagave në administratën publike, i cili i takon konsolidimit të asaj që miratuam që në shtatorin e këtij viti, ashtu sikundër do të vazhdojë edhe rritja e pagave 6% për punonjësit e arsimit, të shëndetësisë dhe për zjarrfikësit, po ashtu do të kemi dhe një rritje tjetër për ushtarakët. Do vazhdojmë të mbështesim familjet, duke e rritur nivelin e pagave që nuk taksohen në 50 mijë lekë, pra 500 mijë lekë të vjetra e duke e bërë këtë janë 70 mijë punonjës të tjerë, të cilët paguhen sot me 500 mijë lekë sot në regjistrin e pagave në Republikën e Shqipërisë me një efekt në buxhet 1.2 miliardë që nuk do të paguajnë më taksë mbi pagën dhe ky 1.2 miliardësh do të shkojë në shtëpitë e tyre, nuk do të vijë më në buxhetin e shtetit.

Po ashtu, do të mbështesim familjet dhe individët që janë në skemën e ndihmës ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar dhe kjo ka një kosto rreth 25.5 miliardë lekë për vitin 2023. Po ashtu, kemi një risi në këtë vit që vjen që përveçse do të dyfishojmë, do vazhdojmë të konsolidojmë dyfishimin më saktë sepse e kemi marrë si vendim, por efekti në këtë buxhet të vitit është më i plotë për nënat me dy apo më shumë fëmijë si dhe për të moshuarit mbi 65 vjeç që nuk marrin pension social apo pension shoqërie. Për nënat e papuna me tre dhe më shumë fëmijë, do të paguajmë sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore duke e konsideruar punësim me kohë të plotë pasjen e tre fëmijëve apo më shumë ndër të cilët fëmijë nën moshën 5 vjeç dhe këtu faktikisht, vijojmë patjetër me bonusin e bebes, me një fond prej 2.2 miliardësh. Përveç indeksimit të pensioneve do të vijojmë me linjën buxhetore të veçantë të bonusit të fund vitit me gjithë vështirësinë e këtij viti, këtë vit në fillim dhjetori jo në fund, do t’i japim pensionistëve bonusin e fund vitit dhe njëkohësisht në buxhetin e ri përsëri kemi bonusin e fundi vitit për pensionistët. Vazhdojmë me një shifër që mendoj është domethënëse, kostoja e pensioneve në 2013-ën ishte 76.9 miliardë, në 2023-ën shkon thuajse dyfish. Pra, kontributi i buxhetit për pensionistët në 141.4 miliardë.

Kemi një tjetër risi, me 1000 familjet e para të reja që do të mbështesim me një garanci sovrane për shtëpinë, për blerje shtëpie ku përfitues do të jenë në këtë fazë të parë mjeket, infermierët, ushtarakët dhe punonjësit e Policisë, të rinjtë që kanë një familje të cilëve do t’i japim mundësinë të kenë një kredi të garantuar plotësisht nga shteti për të marrë shtëpi.

Përsa i përket shëndetësisë, më vjen shumë mirë t’ju bëj me dije që dje kam marr njoftimin që kam fituar një tjetër gjyq me shpifjet tuaja dhe shpifësit tuaj, në këtë rast me një shpifëse të foltores përsa i përket kontrollit mjekësor bazë. Është dënuar si shpifëse dhe nuk po ia përmend emrin, se çfarë rëndësie kanë emrat këtu? Jeni të gjithë njësoj, ju jeni realisht të gjithë bedelë, bishti i “non grata”-s jeni të gjithë.

Ndërkohë që kontrolli mjekësor bazë do të vazhdojë duke i shërbyer tanimë jo një numri të madh, por një numri të konsoliduar qytetarësh që përfitojnë nga ai shërbim. Po kështu do vazhdojnë programet e diagnostikimit të hershëm për tumoret që prekin gratë dhe kontrollet periodike falas për mbi 490 mijë persona në vit. 490 mijë persona në vit, falas!

Ndërkohë patjetër edhe trajtimin e sëmundjeve kronike dhe të impaktit post covid me rimbursim të barnave dhe përmes një rritje të konsiderueshme të financimit të skemës së rimbursimit, por për këtë do flasë ministrja më në detaje.

Tek arsimi dhe këtu do të ndalem tek mburoja sociale jo tek politikat, për të cilat do të flasë ministrja, kemi vendosur që të fillojmë një program kuotash ushqimore dhe financiare për nxënësit me nevoja të veçanta dhe është i parashikuar në buxhet si një hap i parë.

Po ashtu, kemi një fond shtesë për të garantuar transportin e mësuesve, të gjithë atyre që punojnë në një distancë më të largët sesa ajo e aksesueshmja me urban nga vendbanimi.

Fillon dhe skema e garancisë rinore, për të siguruar se çdo i ri apo e re të ketë menjëherë në dispozicion ofertë trajnimi, punësimi apo arsimimi brenda 4 muajve nga momenti i identifikimit.

Tek bujqësia dhe këtu do ndalem tek mburoja, ndërkohë që ministrja do të shtjellojë më tutje aspektet e tjera të buxhetit për sektorin. Bujqësia përfiton volumin më të madh të financimit ndonjëherë dhe një skemë kombëtare e mbështetjes direkte për fermerët me 1.97 miliardë. Ndërkohë që fillon zbatimi i skemës së mbështetjes nga financimi i programit IPARD 3, ku janë në dispozicion 3.9 miliard. Që do të thotë që kombinimi i këtyre të dyjave e bën përsëri buxhetin në mbështetje të bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, një buxhet që nuk ka asnjë krahasim me çfarë ndodhte më përpara dhe nga ana tjetër një buxhet që është lehtësisht i krahasueshëm me vendet e rajonit, në rast se i shikojmë shifrat nga të gjitha anët dhe nuk shikojmë vetëm ballë për ballë.

Në fund, dua të shtoj se kemi një pakete fiskale më pak ndryshime, ku nuk është ndryshimi ku ju të pa fetë, të pa atdhe, pa din, pa iman, pa fytyre ia u ulëritët për ditë të tëra atyre që merren me biznes të vogël duke i nxitur të dalin nëpër protesta që nuk ndodhën në fakt se s’kanë si të ndodhin, se njerëzit kanë halle, kanë probleme, kanë 1001 arsye të mos jenë të kënaqur me ne, por nuk janë aq budallenj të vijnë pas jush.

Faktikisht ju thatë që 10 fishohen gjobat për bizneset e vogla. Biznesit të vogël nuk i 10 fishohet, nuk i 5 fishohet, nuk i dyfishohet, nuk i shtohet as edhe një lloj barre. Biznesi i vogël është aleati më i madh i kësaj qeverie dhe është trajtuar si aleat i kësaj qeverie me zero taksa dhe me zero TVSH! Si në asnjë vend tjetër të rajonit, se në Europë nuk po shkojmë se Europa i ka taksat shumë herë më të larta, por po flasim për rajonin. Zero TVSH, zero tatim fitimi. Ashtu do të jenë deri në vitin 2029, e kemi marrë ne këtë përsipër dhe qoftë vetëm për këtë premtim ne do vazhdojmë t’ju mundim juve të gjithëve bashkë sepse nuk mund ta lëmë biznesin e vogël në dorën tuaj. Qoftë dhe vetëm për këtë, qoftë dhe vetëm për premtimin që biznesi i vogël të mbështetet dhe që të vazhdojë të rritet dhe fuqizohet në Shqipëri, ne juve nuk ju lëmë për asnjë arsye dhe asnjë shteg që deri në 2029 t’ju shkojë ndërmend seriozisht, se juve ju shkon ndërmend, por nuk e keni as ju seriozisht, që të mund të vini këtu në vendin tonë.

Ndërkohë që, ne jemi këtu në këtë vend për të vazhduar të mbështesim biznesin e vogël, jo vetëm duke mos i prekur taksat, jo vetëm duke mos i venë TVSH, por duke vazhduar t’i paguajmë pjesën më të madhe të faturës së energjisë elektrike në mënyrë që inflacioni i pashmangshëm i luftës të mos shkojë kacafiu, siç ka shkuar në vende të tjera të rajonit ku i i ka kaluar dy shifra dhe po i afrohet 20% disa nga ato vende.

Bazuar në Këshillimin Kombëtar ku morën pjesë thuajse gjysmë milioni shqiptarë nga të gjitha llojet, ne kemi vendosur, po, do t’i rrisim dhe do rrisim shumë fort penalitetet për biznesin e madh. Këtë po! Sepse ne ndryshe nga çfarë na pikturoni ju, jemi në anën e njerëzve të zakonshëm dhe jemi në anën e biznesit të vogël. Ne jemi ata që e kemi rritur taksën e biznesit të madh, ne jemi ata që vazhdojmë të konfiskojmë metrat katrorë të babëzisë së atyre që ju i quani oligarkë gabimisht se s’dini as kuptimin e fjalës dhe që na i ngjisni ne, por që faktikisht nëse ata do të ishin me ne, nuk do kishin hallin e madh që kanë sot, që do dorëzojnë çdo metër katrorë në të 28 mijë kilometrat katrorë të Shqipërisë që e kanë bërë pa leje duke shkelur lejen e ndërtimit.

Sot që flasim  një tjetër Këshill Kombëtar i Territorit ka konfiskime të reja dhe jo vetëm në Tiranë, por edhe jashtë Tiranës, në të gjithë vijën bregdetare dhe kudo ku të jenë, ndërtime të bëra me qëllim fitimi. Do t’i rrisim penalitetet për biznesin e madh për t’i thënë biznesit të madh: “rri në vendin tënd, ke gjithë respektin tonë”. Ne nuk e konsiderojmë biznesin e madh as hajdut, as oligark, as mafioz, as kriminel, siç e konsideroni ju. Ju bëni kriminel dhe një nga personalitetet e ekonomisë globale. Ju bëni kriminel njeriun që ka ndërtuar gjysmën e Dubait. Çfarë i keni ju problem këta që janë këtu, por ama këta duhet të mos përdorin biznesin e vogël për të shitur dhe shpërndarë pa fatura dhe të mos bëjnë evazion, sepse aty ku do të kapen, do të goditen, pavarësisht se duhet ta themi dhe këtë, na ka ngecur sharra në gozhdë në Prokurorinë e famshme të Tiranës, e cila prej shumë vitesh ka funksionuar si sportel për të rritur pazarin, duke mbyllur çështjet që drejtoritë tona të të ardhurave t’i çojnë për ndjekje penale dhe duke marrë para nga ata, të cilët duhet të ndiqen penalisht dhe duke çuar pastaj letrat tek bedelat e PDLL-së për të bërë gjithë ato zullume me letrat të marra nga prokuroria, letra të cilat në prokurori i kanë çuar drejtoritë tona të të ardhurave, si puna e atyre rasteve të famshme të tvsh-ve fiktive me të vdekur e me të paralizuar  që ishin të gjitha raste të denoncuara nga Drejtoria jonë e Tatimeve për të ndjekur penalisht ata të cilët i kishin bërë, dhe ata jo vetëm nuk u ndoqën penalisht, por letrat iu dhanë ‘’Partisë së Lekut’’ dhe “Partia e Lekut” fillojë të bëjë gjithë atë qw bwri, duke i hedhur sa më shumë hi e sa më shumë baltë syve shqiptarëve, kështu qe në vazhdim do të fusim në skemën e tatimit profesionet e lira, patjetër a dhe nga ana tjetër do të heqim edhe akcizën për akumulatorët e automjeteve elektrike që ka një efekt jo të madh për momentin, por që është një stimul i arsyeshëm  dhe i nevojshëm në kuadër të zbatimit të strategjisë për kursimin e energjisë dhe për subvencionimin e çmimit të paneleve diellore, do të unifikojmë akcizën e birrës patjetër, sepse për një kohë të gjatë e kemi mbajtur në një nivel të ndryshëm, duke i dalë kundër edhe FMN-së për  të stimuluar biznesin vendas, por ka një ditë kur edhe biznesi vendas mendohet që e ka shfrytëzuar këtë kohë për t’u rritur dhe për t’u forcuar dhe kështu ne do ta unifikojmë akcizën në mënyrë që gjithë kompanitë të jenë të barabarta në një treg që deri tani ka qenë i qëllimshëm  i deformuar për të mbrojtur biznesin vendas dhe në këtë mënyrë bëhet edhe një tjetër harmonizim mbi detyrimet që burojnë edhe nga të qenit pjesë e një rruge të integrimit në BE.

Dhe dua ta mbyll aty ku nisa, prej shumë vitesh, ky vend ka pasur vështirësi të madhe për të tërhequr investitorë të huaj. Ka qenë një vend, i cili ndryshonte vetëm në realitetin iluzor të partive tuaja nën udhëheqjen e ‘’non gratës’’, por një vend ku nuk shkelte kush për të bërë investime në turizëm dhe një vend ku turizmi mbahej nga zelli patriotik i vëllezërve dhe motrave tona në Kosovë kryesisht, që vinin në bregdet dhe që ishin pjesa kryesore.

Sot, shifrat janë komplet ndryshe dhe sot Shqipëria është një vend atraktiv për investime dhe investimi që ne do të bëjmë në Portin e Durrësit është një simbol kombëtar. Një simbol kombëtar për një erë të re i cili punëson 12.000 njerëz direkt dhe indirekt, i cili nuk nxjerr asnjë kokërr leku nga buxheti i shtetit, zero, po sjell 2 miliardë e kusur, mbase edhe më shumë, në varësi se si do zhvillohet  nga jashtë, pra është investim i huaj direkt.  I sjell kompania nga jashtë, kompania që ka bërë Burj Khalifa-n, nga jashtë në Shqipëria dhe se ku e gjeni ju pafytyrësinë që pa ditur gjë fare, pa lexuar gjë fare, ndërkohë që projekti futet sot dhe do ketë gjithë rrjedhën e vet të diskutimeve dhe ju do keni gjithë kohën ta lexoni, t’i hidhni baltë nga foltorja e një “katundi politik, mizerabël’’ ku ju jeni katundarët më mizerabël mes nesh, se për katundarë me mua nuk haheni dot se jam katundari më i mirë kwtu me Xhemal Qefalinë, unë nuk e di, por di që ju jeni të mallkuar. Ju jeni të mallkuar dhe ju jeni mallkimi që e ndjek këtë vend që nga 1912-a. Dhe jeni të mallkuar si bedela, ju që jeni këtu, se bartësit e mallkimit të këtij vendi janë ata që mungojnë sot.

Jo, nuk të kërcënoj fare, (Salianjit)  nuk kërcënoj fare, por nuk ishte këtu dhe po të informoj që dje kam fituar një proces tjetër për shpifje, kështu që të uroj suksese me atë procesin që ke atje.

Vetëm bartësit e mallkimit të këtij vendi që nga 1912-a, mund të çohen këtu sot që në sabah dhe t’i hyjnë për të mira e gëzime me sharje e me shpifje, me akuza komplet në hava, një kompanie  që është nga kompanitë më të mëdha të botës dhe që vjen fatmirësisht  në Shqipëri për të ndryshuar Durrësin, për të ndryshuar Shqipërinë. Ju , vetëm ju mund ta bëni, sepse jeni bishti i një krijese që bart mallkimin. Ju! Po nuk ka rëndësi, puna do vazhdojë dhe asaj pyetjes do t’i jap përgjigje në fund, pse e keni me nxitim se ne nuk kemi kohë për pushim.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit