Bujar Leskaj, deputeti i PD-së, u përjashtua ditën e sotme nga Kuvendi për thyerje etike së bashku me kolegun e tij, Edi Paloka.
Sipas njoftimit të kuvendit, të dy deputetët janë paraqitur të dehur në seancë parlamentare.
I pyetur në Euronews nëse ishte i dehur gjatë seancë, Leskaj është përgjigjur se i vetmi i dehur ishte Rama.
“I vetmi i dehur nga malli (droga), ishte kryeministri i vendit Edi Rama”, është shprehur ai.
Nga ana tjetër, Edi Paloka është shprehur se nuk ishte i pranishëm në seancën e të mërkurës, ku Rama përdori fjalor denigrues dhe ofendues ndaj kolegëve të tij dhe kështu gjeti rastin t’i kundërpërgjigjej.
“Absolutisht nuk kemi qenë të dehur. Por kemi qenë të revoltuar absolutisht po. Unë nuk isha në seancën e ditës së mërkurë, kur Edi Rama përdori një gjuhë rrugaçi në Parlament, ndaj kolegëve të mi parlamentarë. Sot kur ai hyri në seancë për votimin, thjesht gjeta mundësinë t’i kujtoja kush ka qenë dhe kush është. Mbase nga ata deputetë që janë në Parlament, e njoh pak më shumë Edi Ramën qëkur ka qenë i ri dhe nuk mund t’i lejoj vetës dhe demokratëve të na fyej një njeri si ai”, shprehet Paloka për ABC.